DURRËS- Një sherr masiv mes nxënësve të mitur ka ndodhur në gjimnazin "Besnik Hidri" në fshatin Shënavlash të Durrësit. Sherri ka ndodhur gjatë orarit të mësimit, rreth orës 09:00, ndërsa nxënësit ishin në oborr, dhe sipas burimeve raportohet se ka nisur një përplasje e ashpër me grushte. Nxënësit i përkasin moshave 15, 16 dhe 17 vjeç, ndërsa raportohet se një 15-vjeçar ka mbetur i lënduar, por nuk është dërguar në spital pasi nuk ka qenë e nevojshme asistenca mjekësore.
Ende nuk është e qartë se cilat janë shkaqet që çuan të miturit drejt këtij sherri, por burime për Report Tv thonë se dyshohet të ketë qenë një debat dhe ofendime mes tyre të nisura fillimisht pas një sherri në rrjetin social Snapchat.
Nxënësit që janë përfshirë në sherr janë shoqëruar në Policinë e Durrësit, ndërsa një grup hetimor do të verifikojë dinamikën e ngjarjes dhe nëse të miturit kanë pasur brenda ambienteve të shkollës, armë të ftohta, si thika në momentin e sherrit.
"Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në ambientet e shkollës dhe i kanë shoqëruar të miturit në ambientet e Komiariatit të Policisë, për veprime të mëtejshme. Të gjitha veprimet po kryhen në drejtimin e Prokurorisë, në prani të psikologut, përfaqësuesit ligjor, oficerit të sigurisë, përfaqësuesit të stafit pedagogjik dhe prindërve të nxënësve", njofton policia.
Komente












