TIRANE- Strategjia e PD në parlament, ka sjellë përplasjen e parë mes Bashës dhe Berishës në grupin Kuvendor. Ndërsa Berisha kërkoi që seanca e Kuvendit të nisë me rehabilitimin që po i bëhet Enver Hoxhës, Basha kërkoi që debati të fokusohet te lufta antidrogë. Ndërkohë që Berisha u mbështet nga Mesila Doda.

Përplasja
Berisha ka dalë dje kundër Bashës në lidhje me qëndrimin ndaj asaj që PD e deklaron si përpjekje e mazhorancës për ringritjen e figurës së diktatorit komunist Enver Hoxha. Teksa deputetja demokrate e një nga pjesëtaret e grevës së urisë së dhjetorit ‘90 Mesila Doda, ka kërkuar në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit të PD një strategji të qartë për t’iu kundërvënë glorifikimit të figurës së Enver Hoxhës, ka marrë mbështetjen maksimale të ish-kreut të PD Sali Berisha, të ish-kryetares së Kuvendit Topalli, ish-kreut të PD Selami e deputetëve të tjerë.

Kryetari demokrat Lulzim Basha ka kërkuar që kjo të diskutohet si çështje jashtë rendit të ditës në seancë, gjatë diskutimeve të lira në fund. Porse Doda ka kërkuar që të debatohet që në minutën e parë. Mësohet se Doda ka thënë se ka një sulm të koordinuar nga mazhoranca që fillon me përulje, me grusht e në fund në Përmet me vlerësimin e Hoxhës, ndaj opozita duhet të ketë një strategji të qartë, duke e lidhur dhe me grevën e urisë para kryeministrisë dhe duke përmendur grevën e saj kundër komunizmit, kur ishte vetëm 20 vjeçe. Pikërisht këtu ka pasur dhe një përplasje mes deputetes Vokshi dhe Nokës në lidhje me mbështetjen ndaj këtij akti sublim. Vokshi ka kërkuar mbështetje shumëplanëshe nga strukturat e PD, por Basha e ka cilësuar si grevë që duhet të vijojë me vullnet të lirë, ndërsa Berisha ka qenë njësh me qëndrimin e deputetes Vokshi.

Strategjia
PD do të ndryshojë strategji përsa i përket protestave ndaj kryeministrit Rama. Para se të thërrasë tubime të reja, kreu i PD Lulzim Basha është shprehur se do të kërkojë një “Aleancë Kombëtare”, ku do të koordinohet bashkëpunimi. Në qendër të vëmendjes Basha ka vendosur të ketë sensibilizimin e të rinjve, duke kërkuar dhe mbështetjen e tyre. Mësohet se në këtë aleancë janë përfshirë shoqëri civile, grupe studentore si dhe partitë e opozitës. Ndërkohë që Basha tha se në mes javë do të thërrasë takimin e parë.

Po ashtu ekspertët e PD do të nisin përgatitjen e ndryshimeve ligjore për sa i përket trafikut të lëndëve narkotike. Ndaj Basha ka lajmëruar: “Përgatitjen e një pakete propozimesh në rrafshin ligjor dhe për përcaktimin e kalendarit të ri të aksionit opozitar”. “Ne duam, synojmë e do të punojmë për zgjerimin  maksimal të kësaj aleance jetike, duke ftuar të marrin pjesë të gjitha partitë dhe organizata e shoqërisë civile që ndajnë me ne dhe këtë aleancë qëndrimet e saj të shpallura”, tha Basha në deklaratën në mbledhjen e grupit parlamentar. 

(d.a/shqiptarja.com)