"Sherr" në PD/ Veliaj, Imami
dhe Alibeaj i thonë ‘JO’ Bashës 

dhe Alibeaj i thonë ‘JO’ Bashës ">
TIRANE - Tashmë që forcat politike në vend janë zyrtarisht në proces zgjedhor dhe secila nga palët po vë në jetë strategjinë e saj për këto zgjedhje, në Partinë Demokratike sapo kanë filluar kundërshtitë e para. Deputeti i qarkut të Beratit Astrit Veliaj dhe ish-ministri demokrat i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj i kanë thonë jo kryetarit të PD-së Lulzim Basha për drejtimin e shtabeve elektorale. Deputeti Astrit Veliaj konfirmon për A1Report vendimin e tij pasi siç thotë ai ndihet i pavlerësuar nga vendimi i kryetarit Basha për ta dërguar në drejtimin e shtabit në Urën Vajgurore. E po ashtu edhe ish-deputetit Enkelejd Alibeaj ka refuzuar të drejtojë shtabin elektoral në Memaliaj dhe Tepelenë. Madje zoti Alibeaj thotë se do të tërhiqet përfundimisht nga politika dhe nga Partia Demokratike pasi sipas tij në PD nuk po vlerësohen kontributet. Po ashtu edhe zhvendosja e Arben Imamit nga Elbasani në Shkodër nuk është mirëpritur nga deputeti Imami. 

 Zgjedhjet lokale të 21 qershorit janë prova e parë e Lulzim Bashës si kryetar partie, por pakënaqësitë e para kanë filluar të shfaqen. Me formulën e re të drejtuesve të shtabeve zoti Basha ka përmbysur pothuajse gjithë skemën e përdorur nga ish-kryetari Berisha për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, duke bërë një rotacion të deputetëve demokratë në lidhje me zonat që do kryesojnë në fushatë.

Kjo panoramë është në fazën e parë të përcaktimin të drejtuesve të fushatës pasi për shumë prej shtabeve nuk janë përcaktuar drejtuesit ndërsa vihet re mosangazhimi deri tani i deputetëve Ridvan Bode, Jozefina Topalli e Mesila Doda.

Alibeaj refuzon Tepelenën dhe largohet nga politika, i pakënaqur nga kupola e PD
Enkelejd Alibeaj nuk do të jetë më pjesë e Partisë Demokratike dhe as e strukturave të saj. Në një bisedë telefonike për A1 REPORT Alibeaj thotë se është larguar përfundimisht nga politika dhe nga Partia Demokratike dhe shkak kryesor për këtë vendim është bërë mungesa e vlerësimit nga kupola drejtuese e kësaj partie.Vendimi i Enkelejd Alibeaj i cili ishte dhe njëri ndër sfidantët kryesor në garën për Sekretar të Përgjithshëm të PD-së përkundrejt Arben Ristanit, vjen pak ditë pasi refuzojë të punojë në kryesimin e fushatës elektorale për demokratët në Tepelenë dhe Memaliaj, të caktuar nga kryetari Basha.

Alibeaj thotë se në PD asgjë nuk funksionon siç duhet dhe se nuk po vlerësohen figura me kontribut e po ashtu sipas tij mënyra se si po bën politike PD nuk është bindëse. Për më tepër thotë Alibeaj nuk ka pranuar të drejtojë shtabin në Tepelenë pasi nuk ishte kjo ajo që synonte në PD, pas kalimit në opozitë. Ish-deputeti demokrat u angazhua intensivisht në procesin e riorganizmit të Partisë Demokratike pas kalimit të saj në opozitë duke punuar si koordinator i zgjedhjeve brenda partisë në qarkun e Vlorës.
 
Imami refuzon Shkodrën...frikë nga fitorja e socialistëve

Ndërkohë, nga ana tjetër, ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami ka shprehur pakënaqësitë e tij ndaj asaj çfarë i ka caktuar kreu i selisë blu, që Imami nga Elbasani është zhvendosur që të kryesojë fushatën elektorale në Shkodër. Kjo nuk është pritur aspak mirë nga deputeti demokrat, mesa duket ky i fundit e parandien humbjen për bashkinë e Shkodrës dhe se përballon dot fitoren e Partisë Socialiste në këtë garë.

Duke qenë se në qytetin e Shkodrës për 24 vite radhazi ka rezultuar fituese Partia Demokratike, kjo e bën akoma më të rëndë peshën e humbjes për ish-ministrin e Mbrojtjes, Arben Imamin. Duke pasur parasysh edhe faktin se edhe kolegia e tij demokrate Jozefina Topalli e humbi Shkodrën në zgjedhjet e 2013. Ndërkohë që kjo e fundit sot ka dalë nga politika duke mos u caktuar në asnjë zonë si kryesuese fushate.

Ndërkohë, të pyetur rreth kësaj situate zëra nga Partia Demokratike, duke mos e mohuar këtë fakt, përpiqen të japin përgjigje diplomatike për të mos lënë hapësira që divergjencat në radhët e demokratëve të dalin në shesh. Zëra brenda selisë blu shprehen se këto janë reagime emocionale të momentit dhe se në vijimësi do reflektohet rreth tyre, për të stabilizuar gjendjen. 

Astrit Veliaj: S’do udhëheq fushatën në Urën Vajgurore, Basha nuk vlerësoi kontributet
Një tjetër është shtuar kundër kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Bëhet fjalë për deputetin Astrit Veliaj i cili në një prononcim për A1report thotë se ka refuzuar vendimin e Bashës për udhëheqjen e fushatës zgjedhore të PD-së në Urën Vajgurore.

“Refuzova të drejtoja zgjedhjet vendore në Urën Vajgurore për shkak të mosvlerësimit që më është bërë mua dhe elektoratit në Qarkun e Beratit. Basha nuk është konsultuar me ne për drejtimin e shtabeve, jam shumë i pakënaqur,”- thotë Veliaj. 

Po ashtu deputeti demokrat ka thënë se pavarësisht tërheqjes nga udhëheqja e fushatës në Urën Vajgurore ai mbetet i djathtë por, vendimin për tërheqjen e tij e ka iniciuar Basha pasi nuk ka vlerësuar kontributet e demokratëve.
 
“Ka mungesë vlerësimi të kontributeve nga Basha. Për këtë vendim jam konsultuar me elektoratin e PD në Berat, jam i djathtë dhe do jem i djathtë por nuk rri i urdhëruar. Fatbardh Kadilli nuk ka asnjë kontribut që është emëruar në zonën e Beratit,”- shprehet Veliaj.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duk protesta e opozitës?



×

Lajmi i fundit

Rama i kthehet punës pas operacionit, mbledh kryebashkiakët në 10:00 në Kryeministri

Rama i kthehet punës pas operacionit, mbledh kryebashkiakët në 10:00 në Kryeministri