PESHKOPI- Shefi i burimeve njerëzore në Bashkinë e Dibrës ka dhënë dorëheqjen nga posti që mbante. Drini Mataj ka vendosur të largohet nga qyteti verilindor. Mësohet se shkak për këtë është bërë mosmiratimi i propozimeve të tij për reformë në administratën lokale të kësaj njësie vendore.

Mataj nuk u largua pas sherrit masiv që ndodhi në mjediset e godinës së bashkisë, por ashtu siç kishte rënë dakord me zyrtarët lokal kërkoi largimin e punonjësve pa arsim përkatës dhe atyre që kishin performancë të dobët. Mataj dhe disa zyrtarë të tjerë të bashkisë u goditën me shkopinj bejsbolli dhe mjete të tjera të forta. Madje kryetari i bashkisë Muharem Rama akuzoi si iniciator të dhunën zëvendësin e tij, Ernolt Cani, përfaqësues i PDIU-së.

Ky i fundit u arrestua disa orë pas ngjarjes së rëndë dhe aktualisht ndodhet në Burgun e Burrelit. Dorëheqja e Drini Matajt po kalohet në heshtje nga vendorët e Dibrës. Fillimisht ai i kërkoi kryebashkiakut Rama të firmoste largimin e 18 punonjësve të gjetur me shkelje, shumica antarë dhe mbështetës të PDIU-së. Prej fillimit të shkurtit të këtij viti deri para dy ditësh Mataj ka gjetur parregullsi në dosjet e 90 punonjësve, nga 720 që ka ajo.

Abuzimet e gjetura shefi i personelit ia ka vënë në tryezë kryebashkiakut, madje i ka kërkuar që projekt-vendimet për largimin e tyre nga puna të firmosen nga ana e tij. Kjo nuk ka ndodhur për javë me radhë. Zyrtarë të Bashkisë Dibër pohojnë se Mataj është ndjerë keq që shkresat e tij nuk po firmoseshin nga kryetari i bashkisë, ndaj ka vendosur largimin nga Dibra. Ai nuk është prononcuar për mediat por mendohet se mes socialistëve dhe çamëve në Dibër ka një “marrëveshje” për ta qetësuar situatën e krijuar muaj më parë dhe pse jo dhe bashkëpunim mes tyre.

 

 

 

 

 

 

 

d.c./shqiptarja.com