Mbledhja e parë e Këshillit ku ishin të ftuar edhe qytetarët për të diskutuar për planin e ri të zhvillimit vendor u ndërpre, ndërsa banorët dhe bashkia fajësojnë njëra tjetrën për situatën që u krijua.
Për të shmangur atë që ndodhi në mbledhjen e parë kryebashkiaku i Himarës vendosi që mbledhjen e radhës ta zhvillojë në Kuç, por kjo sipas Dules është shkelje e ligjit.
Deklarata e plotë e Vangjel Dules
"Më 25 gusht qytetarët e Himarës u ftuan të marrin pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme dhe të hapur të Këshillit të Bashkisë me objekt planin e përgjithshëm të zhvillimit vendor.
Por, në vend të transparencës, debatit konstruktiv dhe vendimmarrjes demokratike, pjesëmarrësit u gjendën përballë një situate të pakonceptueshme të dhunës së verbër ndaj tyre nga ana e policisë bashkiake dhe të anulimit përfundimisht pa asnjë arsye dhe motiv të mbledhjes së thirrur.
Gjatë fundjavës, shumë nga qytetarët pjesëmarrës u thirrën nga policia e shtetit në kundërshtim të hapur me ligjin dhe procedurat e tij "për të dhënë shpjegime" për pjesëmarrjen e tyre në mbledhjen e hapur të këshillit ku ishin ftuar publikisht.
Ndërsa sot, në shkelje flagrante të afateve dhe në papajtueshmëri të hapur me ligjin për funksionimin e pushtetit vendor, thirret sërish mbledhja e Këshillit Bashkiak për datën 30 gusht, kësaj radhe jo në selinë e vet, por në fshatin Kuç.
Së pari, dëshirojmë të vëmë përsëri dhe përsëri në dukje se këto veprime synojnë ekskluzivisht rrëmbimin me çdo kusht dhe mënyrë të pronës nga pronarët e vetë të ligjshëm dhe tjetërsimin e statusit pronësor më gjerë, në dëm të banorëve autoktonë të Himarës dhe në favor te interesave oligarke por edhe të atyre klienteliste te z Rama.
Së dyti, këto veprime përbëjnë dëshmi te pakundërshtueshme qe provojnë në mënyrën më të prekshme mprapshtësinë e qëllimeve te vërteta të fshehura pas ndarjes së fundit territoriale-administrative për Himarën.
Së treti, u drejtohemi ambasadorëve të nderuar të akredituar ne vendin tonë, veçanërisht atyre të SHBA, BE-së, OSBE-së dhe Këshillit te Europës që të kthejnë syrin dhe vëmendjen si edhe të kontribuojnë që tu jepet fund këtyre padrejtësive absurde në dëm të komunitetit historik te Himarës.
Mentalitete, metoda dhe veprime të tilla nuk kanë asgjë të përbashkët me shtetin e së drejtës, praktikat europiane dhe civilizimin tonë perëndimor.
Së fundi, a mund të flejë i qetë për fatet e demokracisë në vendin tonë çdo qytetar i përgjegjshëm kur një komunitet i tërë trajtohet me politika qe nuk kanë asnjë lidhje me të (demokracinë)?! Aq me tepër kur këto politika janë të inspiruara dhe zbatimi i tyre i monitoruar drejtpërsëdrejti nga kryeministri i vendit?!"
dy.b/shqiptarja.com