Amarildo Mema, një dëshmitar në ngjarjen me përplasjen me shkopinj bejsbolli, të datës 30 qershor 2020 në Elbasan, tregon me detaje çfarë ndodhi në këtë qytet, ku një eksortë makinash e përbërë nga 7 persona, kanë shkuar “blic” në ambientet e lokal “Bar-Roan”, duke dhunuar Leonard Ibran. Mema është pyetur në polici, 6 ditë pas ndodhjes së ngjarjes dhe ka treguar me detaje se çfarë kishte ndodhur në atë mesnatë në lagjen “Emin Matraxhiu” në qytetin e Elbasanit, ose siç njihet ndryshe si lagjia e “Kinezëve”, zona kjo që njihet si territor ku shitet droga në Elbasan.

Sipas Amarildo Memës, agresorët kanë qenë në dy automjete, konkretisht një “Mercedes Benz” furgon “Vito”, pa targa dhe një “Volseagen Golf 7” me targa AB610AB. “…sqaroj se në automjetin “Vito” ka qenë në drejtim Usama Gashi bashkë me vëllain e tij Muhamed Gashi.  Në automjetin tjetër ka qenë një person tjetër që quhet “Rafaelo”, mbiemrin nuk ia di. Sqaroj gjithashtu se këto automjete kanë lëvizur dy tre herë në afërsi të lokalit dhe më pas kanë sulmuar Leonard Ibrën. Theksoj gjithashtu se në momentin e ngjarjes kanë qenë edhe shumë persona të tjerë të cilët nuk kam arritur ti njoh. Vëllezërit Gashi, i njoh pasi më parë kemi qenë miq. Pavarësisht se marrëdhëniet tona u prishën më vonë, ndërsa “Rafaelon” thjesht e njoh si fytyrë. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur theksoj i kam parë vetë keta persona në momentin e ngjarjes, por nuk i kam deklaruar emrat e tyre pasi isha shume i tronditur psikologjikisht…”.

Nisur nga kjo dëshmi prokuroria e Elbasanit ka kërkuar arrestimin e Usama Gashit për akuzën e plagosjes së rëndë me dashje në dëm të Leonard Ibrës dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj tij “Arrest në burg me afat 20 ditor”. Ndërkohë në fund të gjykimit, gjyqtarja e çështjes, Enkelejda Kapedani, ka vendosur të caktojë masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për të ndaluarin Usama Gashi. Për këtë ngjarje është pyetur dhe i dëmtuari Leonard Ibra, i cili ka deklaruar se: “…rreth orës 21:00 kam shkuar në lokalin “Bar Roan”, në lagjen “Emin Matraxhiu” për të parë ndeshjen. Në lokal ka qenë i ulur vetëm dhe rreth orës 22:00 ka dëgjuar zhurma dhe më pas ka parë disa persona, rreth 7-8 vetë që zbritën nga një automjet furgon “Mercedez-Benc“, ngjyrë e zezë, targat e të cilit nuk i mban mend. Këta persona kishin maska spitalore në fytyrë, kapele në kokë dhe në duar mbanin shkopa bejsbolli. Ata i janë vërsulur dhe e kanë goditur në fytyrë dhe në duar me shkopin e bejsbollit.

Për rreth një minutë, kam marrë shumë goditje nga këta persona më pas më kanë shtrirë në tokë nga goditjet dhe më pas janë larguar me automjetin e tyre. Nuk kam arritur ti njoh pasi ishte i gjakosur dhe ata ishin të maskuar…”. Ai thekson se nuk ka konflikte me njeri dhe mendon se agresorët e tij e kanë ngatërruar me një person tjetër. Lidhur me këtë ngjarje është pyetur dhe Gentian Xhelilai, i cili deklaroi se rreth orës 20:30 ka shkuar në një lokal, të cilin e ka një person që quhet “Toni”. Është ulur në ambientin e jashtëm të tij dhe ndërkohë që po shikonte ndeshjen, rreth orës 21:50 ka dëgjuar të bërtitura, të cilat vinin nga një lokal tjetër i cili ndodhej në anën tjetër të rrugës, në një distancë rreth 80 metra.

Menjëherë është ngritur nga lokali dhe ka parë që në rrugë përballë lokal "Roan" kishin ndaluar disa mjete, tre ose katër, ku nga ato ka parë një mjet furgon, ngjyrë e zezë si dhe një autoveturë “Mercedes- Benz”, ngjyrë të zezë, por nuk ka fiksuar ndonjë detaj tjetër tek këto mjete. Nga ato mjete kanë zbritur rreth 7 ose 8 persona, të cilët mbanin të vendosur maska spitalore në kokë ndërsa njëri prej tyre kishte në kokë një kapele me strehë, ngjyrë të zezë. Të gjithë këta persona mbanin në duar shkopa ose shufra hekuri dhe ka parë që po godisnin një person, i cili ndodhej në lokalin "Roan". Pasi e goditën për disa momente personat u afruan tek mjetet e tyre dhe me pas u kthyen dhe një herë tjetër tek personi që goditen për disa sekonda dhe më pas hipën nëpër mjete.

Kjo situatë zgjati për rreth 4 minuta dhe më pas personat bashkë me mjetet janë larguar me shpejtësi në drejtim të unazës së qytetit. Është afruar tek lokali ku ndodhi ngjarja dhe ka parë në tokë Leonard lbra, i cili ishte i gjakosur në kokë dhe në pjesën e pasme të kurrizit dhe ka ndihmuar të ngrihej. Në ato momente ka ardhur patrulla e policisë si dhe më pas ambulance, të cilët e shoqëruan Leonardin në spital ndërsa atë e shoqëruan, për në komisariat. Pas ndodhjes së kësaj ngjarje policia arrestoi dhe procedoi pronarin e lokalit Ronaldo Lazari,për akuzën e “Kundërshtimit me forcë të punonjësit të policisë” me inicialet B. B, P.B, F.I, B.E dhe A.C, pasi ka refuzuar dhe ka kryer veprime të dhunshme me qëllim që ai të mos shoqërohej në polici.