Policia e Fierit ka dhënë informacion zyrtar lidhur me sherrin e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Levan të Fierit, e që më pas agravoi edhe në spital. Siç njoftojnë uniformat blu, janë arrestuar 5 persona, të cilët akuzohen për "vrasje të mbetur në tentativë" dhe " Goditje për shkak detyrës të punonjësit". Mësohet se ka qenë pikërisht D. Braçe ai që i ka marrë armën punonjësit të policisë dhe ka qëlluar Aleksandër Zhapën në ambientet e spitalit. Nuk dihet ende motivi që ka sjellë sherrin mes dy familjeve.
"Arrestohet personi që plagosi me armën e punonjësit të Policisë një shtetas në urgjencën e Spitalit Fier.
Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi i posaçëm hetimor për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, dokumentimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Levan dhe më pas në urgjencën e Spitalit Fier, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

- D.B, 21 vjeç;
- G.B., 22 vjeç, të dy banues ne Levan, Fier, për veprat penale "Vrasje me dashje mbetur në tentativë", "Goditje për shkak detyrës të punonjësit të rendit publik". Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi D.B, dyshohet se është autori i plagosjes me armë zjarri, i cili është kapur dhe arrestuar në orët e para të mëngjesit të sotëm. Gjithashtu u bë arrestimi për veprat penale "Vrasje me dashje mbetur në tentativë" , "Mbajtje pa leje e armëve të ftoha" i shtetasve:
- A.Zh., 51 vjeç, banues në Ferras;
- E. K., 32 vjeç, banues në Vlorë;
- A. Zh., 22 vjeç, banues në Ferras, Fier. Nga veprimet e para hetimore rezulton se konflikti ka nisur për motive banale në një lokal. Në cilësinë e provës materiale u bë sekuestrimi i një arme gjahu, dy mjeteve prerës dhe tre automjeteve", njofton policia.
Lajmi kryesor:
U plagosën me armën e policit brenda në Urgjencën e Fierit/ Dalin emrat e familjeve në sherr, 5 në pranga (VIDEO)
B.K./b.ha./Shqiptarja.com
