Policia e Kukësit ka arrestuar një 47-vjeçar të shpallur në kërkim për vrasje të mbetur në tentativë në lidhje me një konflikti të ndodhur mbrëmjen e 5 shtatorit.
Në pranga ra Frank (Urim) Dida 47 vjeç, i akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Ai qëlloi me armë zjarri drejt qytetarit H.A. gjatë një sherri me këtë të fundit për parkimin e makinës. Fatmirësisht nga të shtënat nuk pati person të lënduar.
Gjithashtu u arrestua edhe nipi i tij, Semi Jeminaj 23 vjeç (djali i motrës së Frank Dida), i cili akuzohet për moskallëzim krimi, pasi ka qenë prezent gjatë sherrit që përfundoi në përdorimin e armës.
Njoftimi i Policisë së Kukësit:
Kukës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Episodi”.
Mbrëmjen e datës 5 shtator, tentoi të vriste me armë zjarri një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, lokalizohet dhe kapet 47-vjeçari.
I ndaluari, i dënuar më parë, për armëmbajtje pa leje.
Në pranga dhe nipi i tij, i pranishëm gjatë konfliktit në lagjen nr. 5, pasi nuk kallëzoi krimin.
Si rezultat i kontrolleve dhe administrimit të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të implikuar në rastin e datës 05.09.2025, rreth orës 21:00, në lagjen nr. 5, Kukës, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, u qëllua me armë zjarri, në drejtim të shtetasit H. A. (nga të shtënat nuk pati të dëmtuar), specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Kukës finalizuan operacionin “Episodi”.
Gjatë operacionit u ndalua autori i dyshuar, i identifikuar menjëherë pas ngjarjes, shtetasi F.(U.) D., 47 vjeç, banues në fshatin Pobreg, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Gjithashtu, u arrestua djali i motrës së 47-vjeçarit, shtetasi S. J., 23 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë konfliktit dhe nuk ka kallëzuar në Polici.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.











Komente
Komento