Sokrat Vata
Tourpal Khitaev, një tjetër nga turistët francezë që shoqërohej me portugezin Luis Miguel Varela Mendes, ka deklaruar përpara hetuesve se kanë qenë tek klub ‘Principote’ duke festuar dhe pasi kanë mbaruar kanë dalë nga klubi dhe kanë zbritur shkallet duke qëndruar tek shezlonget e plazhit.
Khitaev dhe Ibrahim Leimoeiv po qëndronin pak të veçuar nga të tjerët, kur 3 persona me ngjyrë i kanë thënë të ziheshin si burra. Një djalë pranë tyre ishte i dehur dhe bërtiste. Dy persona dolën më pas nga lokali, një prej tyre Sokrat Vata që mbante thikën në dorë. Vata ka goditur Khitaev me të në këmbë dhe ka thirrur që mos të bërtasin.
Pasi e ka sharë nga nëna dhe janë përplasur me fjalë, e ka kapur për fyti, e ka goditur me kokë në fytyrë dhe janë përleshur. Edhe kur Khitaev ka rënë në shezlong, goditjet kanë vijuar. Portugezi 20-vjeçar, shokët e tyre dhe persona të tjerë u përfshinë. Momenti i fundit që Khitaev ka parë Mendesin ishte kur ky i fundit po grindej me dy të tjerë, më pas vetë ai është larguar.
Kur është kthyer ka parë Vatën që e ka identifikuar me foto, që po hiqte këmishën me gjak dhe po largohej nga rruga. Ai pohon se nuk ka parë momentin kur Vata ka vrarë shokun e tij.
“Kam qenë me shokun tim Ibrahim dhe po bisedonim, ndërsa shokët e tjerë qenë më larg. Aty pranë kanë qenë dhe tre persona me ngjyrë të cilët na thanë që zihuni si burra, por unë u thashë se nuk po ziheshim dhe të shikonin punën e tyre se ne po bëjmë shaka. Aty pranë ka qenë dhe një djalë tjetër, i cili ishte i dehur dhe po bërtiste.
Në këtë moment dalin dy veta, të cilët ishin punonjës të lokalit dhe na thonë që mos bërtisni se punojmë këtu! Njëri prej tyre më tërheq nga krahu i veshur me rroba të bardha të shkurtra me pak mjekër, flokë gështenjë, i cili kishte thikën në dorë dhe që më goditi mua në këmbë. Më pas iu bërtiti të gjithëve dhe iu thotë që mos bërtisni. Unë i them që nuk jam unë personi që bërtisja dhe ishin të tjerë, por ky person më ofendoi nga nëna. Unë i them që pse e zë nënën time në gojë, unë nuk zura në gojë nënën tënde. Në këtë moment ai më kapi për fyti dhe më goditi me kokë në fytyrë dhe unë iu përgjigja duke e goditur. Unë më pas kam rënë në shezlong dhe ai po vazhdonte të më godiste.
Aty erdhën dhe disa persona të tjerë dhe po na godisnin dhe shokët e mi u futën në konflikt. Luisi Migueli u fut për të ndaluar ata që më godisnin dhe më pas unë kam parë atë që shoku im që u vra, po konfliktohej me dy-tre persona me bluza të zeza ndërsa personi me bluzë të bardhë, i cili mbante thikën në dorë po na kërcënonte. Njëri prej tyre më ka kapur dhe më ka larguar nëpër shezlongë.
Kur jam kthyer kam parë personin, i cili ishte me të bardha që hoqi këmishën ku në të dallohej që ishte me gjak dhe po largohej në drejtim të rrugës.
Unë nuk e kam parë momentin kur e ka goditur me thikë shokun tim Luis Miguel”.
I pyetur se a njihte personin, i cili mbante thikën në dorë dhe që e kishte goditur në këmbë ai është përgjigjur që “po” dhe pas paraqitjes së fotos së Sokrat Vatës, ai ka deklaruar që ai është personi i cili mbante thikën në dorë dhe që e ka goditur dhe atë.
Lajmi kryesor:
Vrasja e portugezit në Ksamil, Report Tv zbardh dëshmitë e shokëve: Ishim te shezlongët dhe na shanë nga nëna, Vata ia nguli thikën në zemër! Plagosi edhe një tjetër




