Tashmë nuk ka asnjë dilemë, që Sali Berisha, edhe pse humbi zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale pas rikthimin në krye të PD-së dhe nuk u dorëhoq në respekt të statusit, do të jetë sërish kandidat për kryetar në zgjedhjet e 23 majit.

Përballë tij, kanë nisur të dalin figurat e para që synojnë ta rivalizojnë për t’i marrë drejtimin e partisë më të madhe opozitare.

Kandidatura e parë erdhi nga përtej oqeanit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evi Kokalari, dikur shumë pranë Berishës e sot dukshëm kritike e tij.

"Sali Berisha, të lutem shto emrin tim për kandidaturë kundrejt teje në zgjedhjet e 23 Majit. Çdo manipulim vote, të premtoj që do të reflektohet dhe dokumentohet në Departamentin e Shtetit Amerikan",- tha Kokalari.

Edhe ish-kandidatja për kryetare e Forumit Rinor, Alesia Balliu, po ashtu kritike e ashpër e lidershipit të Partisë Demokratike shprehu publikisht ambicien:

“Padiskutim që ditët në vijim do të jap një platformë dhe do të dorëzoj dokumentet. Kam qenë në krye të forumit rinor, kam qenë drejtuese për rininë në gjithë qarkun e Elbasanit, kam dhënë dorëheqjen nga postet drejtuese në PD, por jam anëtare. Nuk di të jetë marrë ndonjë vendim për përjashtimin tim nga PD. Koha e Sali Berishës ka përfunduar dhe ta thashë. Unë nuk mendoj që një person 81 vjeç mund të ecë me ritmin e kohës dhe padyshim nuk e shoh të arsyeshme. Mosha biologjike nuk e lejon Berishën ta bëjë PD një parti fituese. Nga ana tjetër jam një vajzë e re, e pakorruptuar dhe kam qenë një zë kritik. Jam e pakorruptuar, kam avantazh padiskutim atë çka do populli dhe demokratët për momentin, që është rinovimi dhe figurat e reja në PD. Këto figura nuk mund të garojnë për herë të pestë dhe të thonë që po bëjmë ndryshimin e madh”,- tha Balliu në Repolitix.

Në fakt, figura më e fortë që shihej si rival potencial përballë Berishës, është ish-deputeti Ervin Salianji, që e ka sfiduar kreun e PD-së edhe përmes foltoreve paralele me demokratët.  Por pavarësisht ambicies dhe kësaj para-fushate, Salianji ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht nëse do të tentojë apo jo kandidimin.

Pengesa më e madhe për të, mund të jetë rifreskimi i listave të anëtarësisë së PD-së dhe lënia jashtë e tij pasi Sali Berisha e quajti të vetë-përjashtuar me argumentin se ka shkelur vijat e kuqe duke bashkëpunuar me krimin.

Të gjithë emrat do të duhet të legjitimohen fillimisht nga kryesia e PD-së, nëse plotësojnë apo jo kriteret për të kandidatë zyrtarë për kryetar partie.

Vetë statuti i PD thotë: “Çdo anëtar ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet në organet e Partisë. Zgjedhja apo caktimi në funksione partiake bëhet bazuar në kohëzgjatjen e anëtarësimit në parti apo shfaqjes si simpatizant i saj; kontributit në fushata elektorale; kontributit profesional e politik në parti, si dhe në promovimin e vlerave themelore që udhëheqin PDSH-në; aktivizimit në jetën politike e publike të vendit; mbrojtjes në vazhdimësi të interesave, vlerave dhe programit të PDSH-së; si dhe reputacionit në radhët e anëtarësisë dhe/ose shoqërisë në tërësi.”

PD pritet të nxjerrë brenda disa ditëve edhe udhëzimin që përmban kriteret specifike për të qenë kandidat për kryetar, afatet për dorëzimin e kandidaturave, dhe më tej nisjen e fushatës brenda partisë deri në thirrjen e anëtarësisë në votim më 23 maj.