Në vijim të masave të marra për disiplinimin e tregtimit të mishit, Autoritet Kombëtar i Ushqimit bllokoi sot një pikë therje ilegale jashtë standardeve e cila kryente procesin e therjes së kafshëve pa ju nënshtruar kontrollit veterinar si dhe tregtonte mish pa certifikatë veterinare, natyrisht e parregjistruar në QKB.

Mësohet se shkelësi ishte shtetasi Pëllumb Kaziu, i cili aktivitetin e kundraligjshëm e kryente në katin e parë të banesës se tij në Lagjen Spitallë, rruga Manskuria në qytetin e Durrësit.
durrsaku
thertorja e durrsakut
(Vendi që Pëllumb Kaziu e përdorte si thertore)

Gjatë momentit të inspektimit të subjektit nga DRAKU Durrës u gjendën 5 karkasa qingji pa dokumentacion shoqërues.

Trupa inspektuese e Drejtorisë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Durrës, mori menjëherë masën urgjente për ndërprerje të menjëhershme të aktivitetit, si dhe masën administrative gjobë me vlerën 200.000 lekë.

Gjithashtu u sekuestruan 42 kg mish qengji, 6 kg plënc, lëkura (5 copë), thika, çengel dhe mjetet e tjera të punës që përdoreshin për therjen e kafshëve.

Subjekti ushtronte aktivitetin si njësi tregtimi mishi por nuk rezulton i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Bizneseve (QKB) dhe siç duket edhe në video dhe foto, ambienti në të cilin tregtohej produkti mish, ishte jashtë çdo stadardi edhe minimal të Sigurisë Ushqimore – duke përbërë kështu rrezik real e të vazhdueshëm për konsumatorin.

Në këtë aksion Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bashkëpunuar ngushtësisht edhe me Drejtorinë e Hetimit Tatimor.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të denoncojmë pranë AKU-së raste të shkeljeve të Sigurisë ushqimore që dinë apo dyshojnë, si dhe të refuzojnë të blejnë në këto pika therje e njësi shitje të cilat tregtojnë mish të pasigurtë, pa vulë veterinare, të pa licencuara, pa nipt dhe pa kupton tatimor (kuponi tatimor është element shumë i rëndësishëm për gjurmueshmërinë e produktit nga pikpamja e Sigurisë së tij).

e.gj/Shqiptarja.com