SARANDË-  Gjykata ka lënë në burg kryeinspektorin, Petraq Rako dhe tutorin e vajzës 13-vjeçare, Stefan Koloi, i cili e përdorte për prostitucion të miturën. Gjykata e Sarandës për të dy është  vendosur “Arrest në burg” deri në përfundim të hetimeve. Ata akuzohen për  “shfrytëzim prostitucioni”, “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, “prostitucion” dhe “mbajtje e lokaleve për prostitucion”.

Po vijojnë hetimet intensivisht pasi ka dyshime edhe për  të tjerë persona që mund të kenë abuzuar me 13-vjecaren. Ndërkohë që  do të kryhen edhe disa ekspertime mjekësore e shkencore për të plotësuar elemente të hetimeve që kryhen për këtë çështje. Edhe pse dy të dyshuarit janë kapur në flagrancë, siç u shpreh policia por edhe organi i akuzës, përsëri të dyshuarit  në seancë kanë mbajtur qëndrim mohues. Ndërkohë  familjarë të vajzës janë shprehur me parë se kishin informacion që  vajza e tyre punonte në Ksamil si pastruese. Mësohet se të miturën vinin nga Xarra çdo ditë e merrnin  në orën 16.00 dhe sillnin në 22.00. Por njëherësh nga  punonjës të shërbimit social dhe policisë kanë mbajtur më parë një raport ku shkruhej se vajza vishej  me rroba luksoze, mbante Iphone 12, kryente make up dhe kishte marrë banesë me qera në Sarandë. E mitura është fëmija i vogël i një familjeje, me 7 fëmijë njeri prej të cilëve u ka vdekur. Kjo familje ka ardhur para disa vitesh në fshatin  Gjashtë nga Berati. Është familje me të ardhura shumë të pakta, ndërkohë që nëna e fëmijëve është invalide. Banojnë në fshatin Gjashtë në një banesë që e kanë në ruajtje.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Sarandë, ku Stefan Koloi 62-vjeç kishte përshtatur lokalin e tij si si vend për shfrytëzim prostitucioni. Ndërkohë, kryeinspektori 60 vjeç ishte klient i 13-vjeçares.

Arrestimi i tyre u bë nga SHÇBA pas një hetimi një mujor, pas një denocimi që kishte mbërritur në Policinë e Sarandës. Ata do të përballen me veprat penale “Shfrytëzim i prostitucionit”, “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, “Prostitucioni” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.

Petraq Rako, oficer i Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë,  rezulton i arrestuar në 2007 për “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” por është shpallur i pafajshëm.