Berat-3 vite e 6 muaj burg vendosi gjykata e Beratit për Armando Kumaraku 45-vjeçar ndërsa nëna e tij 69-vjeçare Natasha Rombula, u dënua me 2 vjet e 3 muaj burg.

Të dy, nënë e bir, shfrytëzonin djalin e mitur 10 vjeç për klikime në TikTok duke e detyruar deri në kërcënime me thikë që të përdorë një fjalor banal të papërshtatshëm për moshën e tij, pa ia ditur as kuptimin fjalëve dhe të ekspozojë lëndë narkotike, duhan e alkool.

Për abuzimin ndaj fëmijës dhe rëndesës psikologjike të krijuar te 10 vjeçari, gjykata vendosi t’i heqë Armadno Kumarakut të drejtën e përnderimit. Nëna e fëmijës e cila pas divorcit humbi kujdestarinë e të birit ka kërkuar edhe në media bashkimin me djalin dhe kujdesin për të. Tashmë që gjykata i hoqi të drejtën e prindërimit babait pritet të shihet nëse nëna do të nisë rrugën ligjore për të marrë kujdestarinë e të birit.

Fëmija është përballur me bullizëm verbal, që ka ndikuar ndjeshëm në gjendjen e tij emocionale dhe psikologjike. Veprimet e babait dhe gjyshes ndaj tij, sipas prokurorisë, kanë dëmtuar zhvillimin mendor dhe fizik të fëmijës, duke sjellë si pasojë shfaqjen e simptomave të çrregullimeve të personalitetit antisocial.