Një 58-vjeçar është arrestuar në Shijak, ndërsa djali i tij u shpall në kërkim pasi akuzohen për kultivim të lëndëve narkotike.

Policia e Durrësit thotë se në vijim të kontrolleve masiv në terren, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike u arrestua shtetasi B. M., 58 vjeç, si dhe punohet për kapjen e shtetasit P. M., 29 vjeç (babë e bir), banues në Shijak, Durrës.

"Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Sallmone, Shijak, në një zonë të pyllëzuar, gjetën fidanë të dyshuar kanabis sativa. Nga veprimet e para hetimore dhe informacionet e marra në rrugë operative dyshohet se babë e bir janë autorë të tentativës për kultivim të bimëve narkotike", thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike".