KRUJË - Tërmeti i 26 nëntorit ka dëmtuar Kullën e Kalasë së Krujës dhe një shkëmb poshtë saj, i cili rrezikon të shembet. Për këtë arsye në zonë është vënë perimetri i sigurisë dhe janë evakuzar bizneset dhe katër familje në zonën e rrezikut deri me marrjen e vendimit se çfarë do të bëhet me shkëmbin dhe kullën, e cila ndër shekuj është rikonstruktuar disa herë pas dëmeve të shkaktuara nga tërmetet në Shqipëri.
Kulla e Kalasë së Krujës ose siç quhet ndryshe Kulla e Sahatit është ndërtuar në shekullin e 12, ku shërbente si kullë vrojtimi. Ndër shekuj Kulla ka pësuar dëmtime të rënda si pasojë e tërmeteve.
Pjesa e sipërme e saj i është nënshtruar një rikonstruksioni në shekullin e 17 pasi u shemb si pasojë e një tërmeti. Gjithashtu kjo kullë iu nënshtrua një rikonstruksioni tjetër në vitin 1981 kur u dëmtua nga tërmeti apokaliptik që shkaktoi dëme të pallogaritshme kryesisht në zonën e Lezhës dhe Shkodrës, në 1979. Madje në një nga filmat shqiptar të kohës së monizmit, "Gjurmë në kaltërsi" në një fragment shihet Kalaja e Krujës dhe kulla duket e përgjysmuar.

Kulla pësoi dëmtime serioze edhe gjatë tërmetit të datës 26 nëntor dhe pjesa e sipërme e saj që është rikonstruktuar ndër shekuj shfaqi përsëri probleme. Përpos kullës së kalasë ka pësuar lëvizje dhe një shkëmb, në pjesën poshtë kullës, i cili qe shkëputur nga konglomerati në të cilin është vendosur kalaja.
Ky shkëmb pati pësuar shkëputje dhe lëvizje në vitin 1995 si pasojë e shpërthimeve të pa kontrolluara në guroret e Krujës. Madje në atë kohë qe arrestuar dhe SH.D pronar i një guroreje pasi në mënyrë të papërgjegjshme shpërtheu një kamion me eksploziv në guroren e tij në mënyrë që të nxirrte materiale për ndërtimet që bëheshin pa kriter në atë kohë. Më pas ky biznesmen u la në arrest shtëpie për dëmin e shkaktuar Kalasë emblemë të Shqiptarisë.
Ky shkëmb i shkëputur në vitin 1995 ishte lidhur me kavo çeliku në mënyrë që mos të binte mbi banesat e bizneset që ndodhen poshtë tij.
Sot ky shkëmb si pasojë e tërmetit ka pësuar lëvizje dhe është shpallur i pasigurt pasi mund të shkëputet totalisht e të marrë me vete banesat e bizneset poshtë tij. Për këtë arsye është vendosur evakuimi i 4 banesave të fisit Veseli që ndodhen ne lagjen "Kala" si dhe janë urdhëruar bizneset që ndodhen në rrezen e rrezikut që të mbyllin e të boshatisin dyqanet e tyre.
Nuk dihet si do ndërhyhet për dëmet në Kala apo për vënien në siguri të shkëmbit por për te evituar kalimin e mjeteve drejt Kalasë dhe lagjeve që ndodhen brenda saj pasditen e sotme është hedhur një kamion me gurë në rrugën e Kalasë pranë përroit. Report Tv kontaktoi drejtorin e drejtorisë rajonale të Monumenteve të Kulturës Tiranë, sipas të cilëve "shkëmbi dhe kulla janë në rrezik shembjeje", por askush nuk pranoi të prononcohet para kamerës.
/b.ha./Shqiptarja.comKomente


Nqse këtë kullë do ta kishte një vend tjetër, do ta kishin forcuar edhe shkëmbin me metoda të ndryshme e restauruar kullën nga e para!
PërgjigjuGezon turku
Përgjigju