BERAT- Një grup kriminal i trafikut të drogës është vënë në pranga në saj të një operacioni dy mujor të arrirë nga policia. Bëhet fjalë për të rinjtë Jurgen Kollçakun, Gjergji Brahan, Kleo Dokon, Sherif Isajn.
Në saj të operacionit ‘Vëzhgimi’ janë sekuestruar sasi lënde narkotike cannabis sativa, armë të ftohta dhe municion luftarak.
Nga provat e siguruara nga ky operacion, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat ka caktuar ndaj këtyre shtetasve, masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi dyshohet se vepronin në kuadrin e një grupi kriminal që merrej me shitjen në doza të lëndës narkotike cannabis sativa, në zona të ndryshme të qyteteve Berat dhe Kuçovë.
Gjatë kontrolleve në banesat dhe automjetet e këtyre të rinjve, u gjetën sasi lënde narkotike cannabis sativa, 3 armë të ftohta (2 thika dhe 1 përforcues grushti) dhe municion luftarak.
Vijojnë veprimet hetimore me qëllim identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.