9 persona të moshave 20-48 vjeç janë arrestuar në Durrës për shitje kanabisi e kokaine pranë shkollave në Kavajë. 3 të tjerë janë shpallur në kërkim nga policia.
Prej disa muajsh, policia kishte zhvilluar hetime lidhur me këtë aktivitet kriminal. Nga pamjet, duket se arrestimi ka ndodhur në një lokal.
Njëkohësisht, është sekuestruar droga e ndarë në doza dhe celularë.
Materialet hetimore iu referuan Durrës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë:
Durrës / Finalizohet operacioni i koduar “Cleaning 4”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave.
Arrestohen 9 shtetas, shpallen në kërkim 3. Sekuestrohen lëndë narkotike Kokainë dhe Cannabis.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe Forca Operacionale, të DVP Durrës, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Cleaning 4”.
Operacioni u finalizua pas disa muajsh hetime me metoda speciale, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, lidhur me një grup shtetasish që ushtronin aktivitetin kriminal të shitjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave në qytetin e Kavajës.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, u bë i mundur dokumentimi ligjor i veprimtarisë kriminale të shtetasve të përfshirë në këtë rrjet të shitjes së lëndëve narkotike, si dhe ekzekutimi i masës së sigurisë “Arrest në burg”, për 9 nga 12 shtetasit të cilët akuzohen nga Gjykata, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Konkretisht, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 9 shtetas të moshave 20 - 48 vjeç, të gjithë banues në Kavajë.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim 3 shtetasit e tjerë të akuzuar, banues në Kavajë. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitetin e paligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike pranë shkollave të qytetit të Kavajës.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi të lëndëve të dyshuara narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, të ndara në doza, si dhe disa celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore.
Lajm në përditësim...
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente








