DURRËS- Babë e bir janë arrestuar ditën e sotme pasi shisnin në qytetin e Durrësit kokainë në doza të vogla.
Burime zyrtare i thanë Shqiptarja.com se janë arrestuar I. Ç., 57 vjeç dhe B. Ç., 29 vjeç (babë e bir), banues në Durrës. Uniformat blu bëjnë me dije se djali 29-vjeçar është arrestuar në flagrancë duke shitur kokainë, më pas nga kontrolli që iu bë në banesë u zbuluan edhe mjete të tjera që përdoreshin në funksion të aktivitetit kriminal.
Konkretisht në shtëpinë në lagjen Nr. 1 u gjetën 2 automjete të tipit "Benz Ml" dhe "Volkswagen", 2 peshore elektronike, 1 krehër automatiku me 17 fishekë, radio policie, 2 palë targa, si dhe një shumë parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.
Hetimi për kapjen e tyre ka zgjatur për rreth një muaj dhe mbi ta rëndon akuza për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Mbajtja pa leje e municioneve luftarake".