LUSHNJË- Një 37-vjeçar është arrestuar në Lushnjë, pasi është kapur me kanabis. Në kuadër të operacionit ‘Tempulli’ ka rënë në pranga Dritan Kurballi, të cilit gjatë kontrollit që i është ushtruar në makinë i është gjetur heroinë, më pas dhjetëra doza të tjera heroine i janë gjetur edhe në banesë.
Policia thotë se i riu e shiste heroinën në lagje të ndryshme të Lushnjës.
“Gjatë kontrollit në automjetin që ky shtetas drejtonte, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, kanë gjetur lëndë të dyshuar narkotike, e më pas nga kontrolli i banesës janë gjetur dhjetëra doza lënde narkotike e dyshuar heroinë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas siguronte lëndë narkotike heroinë, i ndante në doza në banesën e tij dhe i shiste në lagje të ndryshme”, njofton policia.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, një peshore elektrike, një aparat celular, një automjet dhe një shumë parash që dyshohet të jetë përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".