Janë shitur në ankand kundrejt 1 milionë dollarësh të gjitha mobiljet e vilës në Los Angeles të mbretit të muzikës Michael Jackson. Shifra e ankandit të mobiljeve që doli në shitje nga Julien's Auctions u trefishua, duke bërë që vlera e tyre të rritet në mënyrë spektakolare. Mes mobiljeve të zgjedhura për shitje në ankand kanë qenë edhe tapeti në të cilin mjekët e gjetën të shtrirë këngëtarin teksa tentuan për ta kthyer në jetë. Pikërisht ky tapet u shit kundrejt një çmimi prej 15360 dollarë nga 500 që ishte vlera fillestare. Ndërkaq komodina e krevatit personal të këngëtarit u hoq nga ankandi pak minuta para nisjes së tij me kërkesën e prindërve të Jackson, të cilët kërkuan që ta mbanin atë në pronësi.