Një histori e vjetër, por e bërë publike për herë të parë në një raport të Shërbimit Informativ Shtetëror për vitin 2021, publikuar disa javë ma parë, ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Posaçme, e cila ka nisur një hetim për nxjerrjen e informacioneve të klasifikuara sekret ndaj një spiuni të një agjencie ligjzbatuese të një vendi jo mik. 

Report Tv mëson se me kërkesë të prokurorit Altin Dumani, janë marrë të pandehur katër ish-zyrtarë të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe një ish-punonjës i Policisë së Shtetit. 

Për Report Tv SPAK thotë se hetimi ndaj Frederik Ymerit, Bashkim Abazit, Luftar Cunajt, Maksim Ferrës dhe ish-oficeri i policisë Gjergji Koti, konsiderohet sekret për sigurinë kombëtare, por dyshohet se zyrtarët kanë marrë ryshfet nga shërbime sekrete të huaja dhe kanë shitur informacione të klasifikuara.

Rolin kryesor në këtë skemë dyshohet se e ka pasur Frederik Ymeri, që deri në vitin 2003 ka qenë drejtor i Krimit të Organizuar në Aparatin Qendror të SHISH, por megjithatë, hetuesit nuk e bëjnë publik se kush është informatori direkt i agjentit të huaj.  Bashkë me 3 kolegët dhe ish oficerin e policisë, Ymeri mblidhte informacione për t’ia shitur spiunit të huaj. 

Gjithçka u zbulua në raportin e shërbimit sekret për vitin 2021, që për herë të parë zbuloi historinë ndoshta të një dekade më parë. Aty thuhej se një agjent me nofkën “Çelësi” i kishte dhënë informacione të klasifikuara një spiuni të huaj në këmbim të një burse studimi jashtë shtetit për djalin, por hetuesit nuk e bëjnë të ditur as emrin e agjentit dhe as shtetin që ai përfaqëson. Por në raportin e SHISH thuhet se spiuni i huaj, të cilin e identifikon me nofkën “Rezidenti” e njeh gjuhën shqipe dhe kishte funksion diplomatik që e përdorte si mbulesë në kontaktet me punonjës të administratës qendrore e lokale.

SHISH kishte përgjuar disa takime mes dy agjentëve. Spiuni i huaj përdorte kabinat publike telefonike për të biseduar me agjentin shqiptar nga i cili dyshohet se merrte informacione lidhur me emra të punonjësve të veçantë të institucioneve të sigurisë në vend. 

Sipas SHISH raporti mes të dyve ishte krijuar në një aktivitet zhvilluar nga një përfaqësi diplomatike ku “Çelësi” dhe “Rezidenti” shkëmbyen numrat dhe nga ai moment nisën të takoheshin, duke shmangur ambientet e zyrave në survejim, dhe duke konsumuar kafe e dreka jashtë Tiranës. Çelësi ishte shprehur se me të ardhurat nga detyra e tij e kishte të pamundur të garantonte shkollimin e djalit jashtë vendit.  Në raportin e SHISH thuhej se agjenti i huaj i paguante edhe shpenzimet e rrugës, dhe i fuste në zarf pagesat për informacionet e hedhura në një pajisje elektronike, që sipas tij, nuk cenonin detyrën e zyrtarit të SHISH.

Pjesë nga raporti i SHISH për vitin 2021

Gjatë monitorimit të aktivitetit të një punonjësi të huaj të dyshuar të një agjencie inteligjente të një vendi jomik dhe me mbulesë diplomatike që, në këtë rast, po e quajmë me nofkën “Rezidenti”, u evidentua aktivitet i ngjeshur në kontakte me qytetarë të ndryshëm të vendit tonë, midis të cilëve edhe me punonjës të administratës qendrore e lokale, për shkak të funksionit diplomatik që përdorte si mbulesë. Përparësia i këtij operativi është njohja e gjuhës shqipe dhe zhdërvjelltësia në krijimin e kontakteve. Është vënë re prirje e tij për të pasur qasje dhe për të mundësuar takime në zyra institucionesh që administrojnë informacion të klasifikuar, si dhe veprime për të shmangur mbikëqyrjen nga struktura të sigurisë.

Dyshimet e para se “Rezidenti” kishte nisur një operacion të mundshëm rekrutimi erdhën pas frekuentimit të disa kabinave publike telefonike, në orare të përafërta në ditë të caktuara të muajit, të cilat realizoheshin pas lëvizjeve në rrugët e qytetit në këmbë dhe me automjet, për t’u siguruar që të ishte jashtë rrezes së monitorimit të strukturave të specializuara.

Pritësi i thirrjeve telefonike ishte një shtetas shqiptar, punonjës në institucionin qendror A. Punonjësin këtu po e quajmë me emrin “Çelësi”.

Në një rast, në vigjilje të Vitit të Ri, “Rezidenti” komunikon me “Çelësin” dhe i kërkon një takim për ta uruar për festat e fundvitit.
Nisur nga kjo situatë, u ndërmorën disa veprime të kualifikuara për të dokumentuar takimin dhe për të vlerësuar nivelin e marrëdhënieve mes tyre. Duke e vlerësuar “Rezidentin” si profesionist, i cili kishte mundësi të vogla për të gabuar, u planifikuan detyra operative për verifikimin e figurës dhe monitorimin e aktivitetit të “Çelësit”. Po, ashtu, u morën masa për të verifikuar qasjen e “Çelësit” në informacion të klasifikuar “Sekret Shtetëror” si dhe të dhëna për ndryshimin e sjelljes së tij në rutinën e përditshme të punës. Të dhënat e para treguan se “Rezidenti” i kishte frekuentuar shumë rrallë ambientet e zyrës ku punonte “Çelësi” dhe, në dukje, nuk kishte shprehur ndonjë interes të veçantë në drejtim të “Çelësit”.

SHISH-i mësoi se “Çelësi” ishte njohur me “Rezidentin” në një nga aktivitetet e zhvilluara nga një përfaqësi diplomatike, ku shkëmbyen numrat e telefonit pas takimit të rastësishëm. Kohë më vonë, “Rezidenti” ishte shfaqur në zyrën e “Çelësit”, i cili për momentin u ndodh i vetëm, dhe e kishte pyetur për vendndodhjen e përfaqësuesit të marrëdhënieve me jashtë të institucionit. Duke përfituar nga kjo situatë, “Rezidenti” e ftoi për kafe në një nga baret me pak frekuentim në afërsi të institucionit. “Çelësi” pranon të konsumojë kafen, por në biseda nuk u vu re ndonjë temë konkrete interesi. Bisedat ishin të karakterit të përgjithshëm, rreth familjes, arsimit, ambientit të punës dhe problematikat e përgjithshme. Në përfundim, “Rezidenti” e fton për një drekë jashtë qytetit, duke përcaktuar orën dhe ditën, si dhe i kërkon disa të dhëna që, në kontekstin e detyrës së “Çelësit” nuk përbënin ndonjë çështje sekreti.

“Çelësi” pranoi të takoheshin për drekë, për t’u njohur më mirë dhe për të shfrytëzuar këtë kontakt “diplomatik” me synim shkollimin me bursë studimi që ofronte shteti i “Rezidentit” për djalin e tij. Gjatë drekës, “Rezidenti” krijoi një njohje më të plotë të profilit personal dhe të punës, të aksesit të “Çelësit” ndaj informacionit të klasifikuar, duke i premtuar se do ta ndihmonte për shkollimin e djalit. “Çelësi” u ankua se, me të ardhurat si nëpunës, e kishte të pamundur shkollimin e djalit jashtë vendit dhe i shprehu mirënjohjen për ndihmën e ofruar.

“Rezidenti” i thotë se asgjë nuk ishte e pamundur nëse ky do të ofronte ndihmë dhe të mblidhte disa informacione që nuk do të cenonin detyrën e tij funksionale. Pas një ngurrimi të shkurtër, “Çelësi” ra dakord në parim për ta ndihmuar dhe “Rezidenti” i kërkoi disa informacione, duke i siguruar edhe një pajisje elektronike për hedhjen e tyre. “Rezidenti” i përcaktoi edhe takimin e radhës për darkë, në një zonë dhe lokal tjetër, jashtë qytetit.

Në takimet e radhës, të organizuara në mënyrë të paracaktuar apo nëpërmjet telefonatave nga kabina të telefonave publikë, “Rezidenti” i ka dhënë zarfe me shuma të ndryshme të hollash “Çelësit”. Gjithashtu, ka paguar gjithmonë faturat e shpenzimeve. Fshehtësinë e takimeve të tilla “Rezidenti” e ka justifikuar me arsyetimin se e bën për të mbrojtur “Çelësin” dhe prandaj i ka dhënë edhe një numër tjetër telefoni, ku ai të komunikonte në raste urgjente. Për arsye të mbrojtjes së aktivitetit, burimeve dhe ngjashmërisë me një rast specifik, SHISH-i nuk mund të publikojë të plotë vijimin dhe përfundimin e kësaj situate

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:46
Drejtori i ADISA-s është i biri i Frederik Ymerit, ish zyrtari i SHISH që dyshohet se shiti sekrete shtetërore për agjentin e huaj

1656593475_maxresdefault1.jpg

Lorin Ymeri, i biri i Frederik Ymerit, i cili dyshohej se mbante rolin kryesor në skemën e shitjes së sekreteve shtetërore për agjentin e huaj, është drejtori i agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve të Integruara (ADISA). Ish zyrtari i SHISH, Frederik Ymeri është marrë i pandehur nga SPAK së bashku me 4 ish zyrtarë të tjerë pasi auzohen se kanë marrë ryshfet nga shërbime sekrete të huaja dhe kanë shitur informacione të klasifikuara.

Ndërkohë nuk dihet ende se cili prej tyre, Frederik Ymeri, Bashkim Abazi, Luftar Cunaj, Maksim Ferra dhe ish-oficeri i policisë Gjergji Koti, është spiuni që doli në raportin e SHISH për vitin 2021 se kishte kërkuar bursë studimi për të birin në këmbim të informacioneve të klasifikuara 'sekret shtetëror'.