Rreth 600 banorë të fshatit Ketë, në Njësinë Administrative në Bashkinë e Klosit, ndodhen prej pesë ditësh të izoluar. Bllokimi i këtyre banorëve ka ardhur për shkak të dëmtimit të rrugës, që lidh këtë fshat me Klosin dhe Tiranën.

Kjo rrugë është mundësia e vetme e lidhjes së këtyre banorëve me qytetin. Rruga është dëmtuar për shkak të motit të keq që përfshiu vendin për tri ditë me radhë, duke bërë që shumë vende të ‘pushtoheshin’ nga uji, pas reshjeve masive dhe pa ndërprerje.

Ndërkohë, moti i keq vijon të godasë vendin, ku nga jugu me reshje shiu është zhvendosur në veri me reshje dëbore. Disa fshatra në Njësinë e Lurës në Dibër janë bllokuar, pasi dëbora arrin deri në 40 centimetra. Gjithashtu, disa fshatra janë bllokuar edhe për shkak të shembjes së rrugëve.

d.c./shqiptarja.com