TIRANË - Komisioni hetimor, që po shqyrton kërkesën për shkarkimin e dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të zgjedhur nga Kuvendi, pritet të publikojë të hënën gjetjet dhe shkeljet e konstatuara në dokumentacionin e dorëzuar nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), Ministria e Drejtësisë dhe Shkolla e Magjistraturës për dy anëtarët, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj.
Në mbledhjen e fundit të komisionit, kryetari Armando Subashi tha se në materialin e dorëzuar në Kuvend nga KLD, mungonte procesverbali i mbledhjes së datës 28 maj 2014 dhe ai i mbledhjes së datës 30 maj 2014. Në këtë kuadër, komisioni i dërgoi një shkresë KLD-së ku i kërkonte plotësimin e procesverbalit.
Kuvendi, me kërkesë të deputetëve të maxhorancës, miratoi dy javë më parë ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj, me argumentin për shkelje të rënda të ligjit./ATSH/