Shkodër - Prefektura e qarkut Shkodër ka dhënë përditësime lidhur me situatën e shkaktuar nga reshjet e shiu në 24 orët e fundit.

Përmes një njoftimi zyrtar bëhet me dije se në zonën e Obotit është evidentuar prezencë uji kryesisht në tokat bujqësore, duke zgjeruar sipërfaqen e përmbytur.

Aksi rrugor lidhës i fshatit me rrugën kryesore paraqet prezencë uji rreth 40–50 cm, duke vështirësuar kalimin për mjetet e vogla.

Që prej pasdites së djeshme është konstatuar rritje e niveleve të lumenjve Drin dhe Bunë, si dhe të Liqenit të Shkodrës.

Njoftimi i plotë:

Prefektura e Qarkut informon mbi situatën aktuale në territorin e Shkodër dhe njësitë përreth, si pasojë e reshjeve dhe prurjeve të shtuara në kaskadën e Drinit gjatë 24 orëve të fundit.

Korporata Elektroenergjike Shqiptare (KESH) ka njoftuar se pas monitorimit të afërt dhe vlerësimit pêr administrimin e prurjeve, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet në kaskadën e lumit Drin: Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës.

Që prej orëve të pasdites se djeshme është konstatuar rritje e niveleve të lumenjve Drin dhe Bunë, si dhe të Liqenit të Shkodrës.

Në zonën e Obotit është evidentuar prezencë uji kryesisht në tokat bujqësore, duke zgjeruar sipërfaqen e përmbytur, pa rrezik për banesat deri në këto momente.

Aksi rrugor lidhës i fshatit me rrugën kryesore paraqet prezencë uji rreth 40–50 cm, duke vështirësuar kalimin për mjetet e vogla.

Në terren ndodhen 2 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 10 efektivë të Forcat e Armatosura, në gatishmëri të plotë për çdo nevojë emergjente.

Situata në akset rrugore malore:

Aksi Bogë – Theth vijon të ndikohet nga reshje intensive bore; Qafa e Thorës mbetet e bllokuar në zonën e tuneleve për shkak të orteqeve. Po punohet me mjete borëpastruese për hapjen e rrugës.

Në aksin Hani i Hotit – Vermosh ka reshje të dendura dëbore mbi kuotën 1000 m; qarkullimi kryhet vetëm me goma dimërore dhe me asistencë të mjeteve borëpastruese.

Nga bashkitë Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe  Fushë-Arrëz nuk raportohen problematika.

Strukturat e mbrojtjes civile dhe institucionet vendore vijojnë monitorimin në terren dhe mbeten në gatishmëri për çdo zhvillim të situatës, duke garantuar koordinim të plotë për sigurinë e qytetarëve.

Lajm ne perditesim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:53
Reshjet e shiut/ Lumi Ishëm del nga shtrati në fshatin Murqinë të Fushë Krujës! Izolohet një lagje

1771318125_lumiishem.jpg

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të rëna gjatë orëve të natës lumi Ishëm në fshatin Murqinë të Fushë Krujës ka dalë nga shtrati.

Dhjetëra hektarë tokë bujqësore ndodhen nën ujë, teksa një lagje është izoluar. Rruga në këtë zonë është e kalueshme vetëm me mjete të larta.

Ora 09:24
Reshje dëbore në Korçë/ Gomat dimërore të nevojshme në tre akse, ndërpritet energjia për 12 abonentë në Gurin e Kuq

Situata me reshjet e dëborës në Korçë paraqitet e qëndrueshme, ndërsa vijon monitorimi për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Në segmentet Libonik–Rëmbec–Plasë, Korçë–Voskopojë dhe Boboshticë–Dardhë, qarkullimi mund të kryhet vetëm me goma dimërore. Strukturat janë në terren duke kryer pastrim dhe kriposje. Në Boboshticë-Dardhë (Lapidari i Podgories) janë dy borëpastruese në terren.

Në të gjitha akset e tjera, përkatësisht Ersekë–Tre Urat, Korçë–Ersekë, Zemblak–Goricë dhe Bilisht–Miras, reshjet vijojnë, por deri më tani nuk raportohen vështirësi në lëvizje.

Në Pogradec, përveç reshjeve të pakta të dëborës në zonën e tuneleve, nuk raportohen probleme. Niveli i lumenjve paraqitet në prurje normale, pa rrezik për përmbytje.

Nuk paraqiten probleme në bashkitë e tjera të qarkut Korçë.

Energjia elektrike është ndërprerë për 12 abonentë në fiderin Cervenak, NST Guri i Kuq. Grupet e punës ndodhen në terren për evidentimin dhe riparimin e defektit.

Ora 09:06
Reshje dëbore në veri e juglindje të vendit, ARRSH: Pothuajse të gjitha akset të kalueshme, mbetet e bllokuar vetëm Qafë Thora (VIDEO)

Reshjet e dëborës kanë nisur në zonat veriore dhe juglindore të vendit. Në një njoftim, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka renditur të gjitha zonat me prani të reshjeve të dëborës, ku e bllokuar mbetet vetëm Qafë Thora për shkak të rënies së ortekëve.

ARRSH bën me dije se veç këtij aksi, qarkullimi vijon normalisht në segmentet e tjera rrugore. Në terren vijon puna për pastrimin e rrugëve dhe shpërndarjen e kripës.

“Gjatë natës ka pasur reshje shiu me intensitet mesatar dhe në orët e para të mëngjesit ka filluar dëbora në zonën veriore në lartësi mbi 800m, si dhe në juglindje të vendit.

Reshje dëbore ka pasur në: Bajram Curri–Valbonë, Ura e Bujanit–Qafë Morinë, Fierzë–Bajram Curri, Kukës–Krumë, Kukës–Shishtavec, Hani i Hotit-Vermosh, Bogë-Theth, Qukës-Qafë Plloçë, Korçë-Voskopojë, Korçë-Ersekë, Ersekë-Tre Urat.

Përveç zonës së Qafë Thorës, e cila vijon të jetë e bllokuar prej rënies së vazhdueshme të ortekëve, të gjitha akset janë të hapura dhe qarkullimi vijon normalisht.

Kontraktorët me mjete dhe punëtorë janë në terren po punojnë me pastrimin e akseve rrugore dhe shpërndarjen e kripës për të evituar ngricat.

Drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhir kur udhëtojnë drejt akseve rrugore me prezencë dëbore”, njofton ARRSH.