TIRANE- Partia Demokratike po përgatit 1189 padi penale ndaj shteti për shkarkimet që janë bërë në administratë. Pas publikimit të lajmit se Gjykata Kushtetuese kishte rrëzuar Aktin Normativ të qeverisë për të shtyrë me 6 muaj fuqizimin e draftit për “Nëpunësin Civil”, kryetari i demokratëve publikoi listën e 1189 personave që kishin denoncuar tek portali online i PD-së për shkarkimet që u janë bërë. Në një deklaratë për mediat, Basha theksoi se numri i personave të shkarkuar nga qeveria Rama është rreth 4500 por që vetëm 1189 individë kanë denoncuar tek portali i Partisë Demokratike.

Sipas Bashës, të gjitha këto shkarkime janë bërë në shkelje të ligjit të “Nëpunësit Civil” dhe për rrjedhojë, punëtorët e administratës duhet të rikthehen sërish në punë. “1189 është numri i dokumentuar i deri djeshëm, i të larguarve dhe shkarkuarve që kanë paraqitur zyrtarisht ankesa online dhe pranë zyrave të Partisë Demokratike. Numri total i të larguarve përllogaritet megjithatë rreth 4500. Spastrimet e paligjshme në administratën publike kanë vazhduar edhe dje, kur sipas njoftimeve, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka vendosur rrëzimin e Aktit Normativ të qeverisë për shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit për Nëpunësin Civil, për rrjedhim anulimin e gjithë efekteve që ky akt tashmë haptazi antikushtetues ka prodhuar tashmë gjatë këtyre tre muajve të qeverisjes.

Ne po përgatisim një paketë masash juridike dhe organizative për tu ardhur në ndihmë të gjithë atyre që janë prekur padrejtësisht nga këto veprime antiligjore. I siguroj ata dhe mbarë opinionin publik se shkaktarët dhe përgjegjësit e këtyre veprimeve të paligjshme do të përgjigjen herët apo vonë para ligjit dhe ne do të bëjmë çdo përpjekje që ata të përgjigjen sa më herët”, theksoi kryetari i PD-së.

Problematika
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi në një kohë të papërshtatshme për vendin pasi për dy dit Shqipëria do të marr përgjigjen për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europina. Shtete si Holanda, Danimarka kanë spostuar vëmendjen e tyre drejt Shqipërisë për të parë nëse ne e meritojmë apo jo statusin, por nga deklaratat e fundit të bëra nga Basha, duket se peshorja do të anojë më shumë për nga përgjigja negative.

Kjo pasi Lulzim Basha është nënshtetas holandez dhe për rrjedhojë, është një nga personat që mund të lobonte më shumë se kushdo për Shqipërinë, gjë kjo që s’po ndodh pasi ai po vepron në mënyrë të kundërt duke ngritur shumë akuza ndaj qeverisë të cilat sipas të gjitha gjasave po e rëndojnë situatën e vendit në prag të marrjes së përgjigjes nga Bashkimi Europian. Kësisoj edhe natyra pro europiane e Bashës duket se po shkon në invers me sjelljen e tij.

Tritan Shehu: Vendimi i Kushtetueses u mor me vonesë
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, theksoi dje në një postim në faqen e tij në rrjetin social “facebook” se vendimi i marrë nga Gjykata Kushtetuese për rrëzimin e Aktit Normativ të qeverisë erdhi me vonesë pasi sipas tij duhej dhënë më parë. “Gjykata Kushtetuese mori një vendim të drejtë për Aktin Normativ. Megjithëse tani realisht është vonë. Ai akt ishte një veprim thellësisht i gabuar shumë i dëmshëm në të gjitha analizat dhe aspektet”,-theksoi ai.

Shkrimi u publikua sot (15.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)