Gjykata Kushtetuese ka 30 ditë kohë për të marrë një vendim për ankimimin e Erion Veliajt për të anuluar shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës dhe dekretin për zgjedhjet në Tiranë. 

Për shkak të sensivitetit të çështjes, që lidhet me mandatin e Kryebashkiakut të shkarkuar me vendim qeverie, por edhe me një dekret të Presidentit, të pezulluar, për zgjedhje në Tiranë, Kushtetuesja mund të dalë me një vendim ndoshta edhe javën tjetër, që do t’i jepte fund pa vonesa dilemës nëse Veliaj do të qëndrojë në detyrë, apo bashkia më e madhe e vendit do të shkojë në zgjedhje. 

Më tej, trupa gjykuese të marrë kohë për arsyetimin e vendimit. Erion Veliaj u përball për 7 orë në gjykatë me kryeministrinë dhe presidencën, njëra që firmosi shkarkimin e tij, e tjetra që dekretoi zgjedhje në kryeqytet.

Seanca e një dite më parë zgjati plot 7 orë, ku Veliaj u shfaq për herë të parë në publik pas 9 muajsh në qeli, dhe kërkoi anulimin e vendimit të qeverisë duke hedhur akuza për një proces të motivuar politikisht. 

Këshilli i Ministrave dhe Presidenca mbrojtën pozicionet e tyre, duke thënë se vepruan brenda kuadrit ligjor dhe duke kërkuar në fund shpalljen e moskompetencës për ankimimin e Veliajt. Sipas mbrojtësve të qeverisë dhe presidencës, Veliaj do të duhej që të ishte drejtuar në Gjykatën Administrative.

Mes Veliajt dhe qeverisë u zhvillua një debat i gjatë nëse shkarkimi i Veliaj me argumentin e mungesës në punë 3 muaj, ishte i ligjshëm dhe i drejtë. Presidenca i kërkoi që në fillim Gjykatës ta përjashtonte këtë institucion nga gjykimi, pasi sipas Ilir Rusmalit, dekreti i Begajt nuk ishte kompetencë e Kushtetueses. 

Veliaj tha se e rrëmbyen nga zyra pa kryer asnjë shkelje dhe se gjatë këtyre muajve në paraburgim ka përjetuar një sërë shkeljesh të të drejtave themelore, dhe denigrimi e përpjekjeje për t'i heshtur zërin si i zgjedhur vendor. Ai i kërkoi Kushtetueses që t'i qëndrojë garante të drejtës së votës së dhënë nga qytetarët. Argumentimin për shkarkim se nuk është paraqitur në detyrë prej më shumë se tre muajsh e cilësoi si fyerje, më të rëndën në jetën e tij, më shumë sepse i erdhi nga të vetët.