Në mbledhjen vetëm 7 minuta të Komisionit të Legjislacionit nuk u arrit dakordësia për shkarkimin ose jo të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Pasi kishte marrë më herët kohë për të shqyrtuar raportin e Partisë Socialiste, PD nuk u tërhoq nga raporti i saj. Kështu, do të jetë Kuvendi që ditën e enjte do të votojë të dy raportet.

Ishte Ivi Kaso nga Partia Demokratike dhe Damian Gjiknuri nga Partia Socialiste që paraqitën qëndrimet e tyre, por pa gjetur pika të përbashkëta mes raporteve të propozuara.

Kaso si përfaqësues i opozitës, nuk ndryshoi qëndrim duke theksuar dhe njëherë që heqja e të drejtës së fjalës deputetëve apo shkelja e sovranitetit janë arsye të mjaftueshme për të kërkuar shkarkimin e Peleshit. Asnjë prej këtyre argumentave nuk u mbështet nga pala tjetër.

Kaso: Nga njohja që iu bëmë raportit, konstatojmë që jemi larg me qëndrime. Ia vlejti koha që morëm për të parë raportin, pasi edhe raporti i Gjiknurit jep jë suport për shkak se konfirmon të gjitha shkeljet e gjetura nga ne në seancën e 16 dhe 18 shtatorit, vetëm se shkon në linjën që vërtet ka shkelje por janë proceduriale, por nuk janë të tilla sa të përbëjnë shkak për shkarkimin ose të kenë cenuar rëndë mbarëvajtjen e seancave. Ndërkohë që ka cituar edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese në raste analoge.

Por, për ne, janë të tilla që duke i hequr të drejtën për të folur deputetëve, shkelet e drejta e sovranit. Kuvendi nuk ka luksin që procedurën ta vlerësojë në mënyrë të gabuar, dhe nuk mund të shërbejë si mburojë. Kryetari i Kuvendit ka bërë më të keqen për demokracinë. Kuvendit duhet t’i kalojë për miratim raporti në favor të shkarkimit të kryetarit.

Gjiknuri: Nuk kam gjë për të shtuar, në këto kushte secila palë t’i dërgojë kuvendit raportin e vet për votim.

PD inicioi zyrtarisht shkarkimin e Peleshit më 19 shtator, për shkak të përplasjeve në dy seancat e para të legjislaturës, duke mos lejuar as diskutimin për programin e qeverisë.