Shkarkimi i Metës, Komisioni Hetimor Presidentit: Ke kohë deri të hënën, mund të vish kur të duash! Meta: Kërkesa e palegjitimuar e fiktive! Aktivitetet e mia i keni në web

Në ambientet e Kryesisë së Kuvendit është zhvilluar paraditen e sotme mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Mbledhja ka nisur me votimin e vendimit që Presidentit të Republikës t'i lihet një afat për tu paraqitur në komision. Metës i është dhënë afat nga nesër deri të hënën e ardhshme që të vendosë dhe të vijë kur të dojë.

Më herët u lexua edhe letra e Presidenti Ilir Meta, i cili duke i kthyer përgjigjet Kuvendit të Shqipërisë thotë se kërkesa për pjesëmarrje në Komision Hetimor në përmbajtje të saj nuk referon asnjë dispozitë kushtetuese dhe ligjore për bazueshmërinë e saj. Sipas Metës është e palegjitimuar, fiktive, jashtë çdo lloj afati, dhe jo vetëm që cenon hapur të gjitha parimet kushtetuese demokratike të shtetit të së drejtës, por në mënyrën se si është iniciuar, vlerësuar, miratuar dhe po vijon të realizohet, tregon qartë se përpiqet të krijojë idenë se Kuvendi po ushtron funksionet e tij, ndërkohë që, asnjë proces i kësaj natyre (hetimor) nuk mund të ushtrohet e të zhvillohet në këtë periudhë tranzitore të përfundimit të mandatit të Kuvendit aktual, dhe fillimit të ushtrimit të detyrës së Kuvendit të ri të zgjedhur më 25 prill 2021.

Ndërsa lidhur me kërkesën e Komisionit që të vihet në dijeni me axhendën e aktviteteve të tij, Meta i thotë se aktivitetet gjenden të gjithë në web.  

Kryetari i Komisionit Hetimor, Alket Hyseni, në përgjigje të kësaj letër të Metës tha se çdo shkresë e Komisionit Hetimor është totalisht e bazuar në Kushtetutën e Republikës minimalisht, në Rregulloren e Kuvendit, në ligj.

E ftoj Presidentin të kuptojë rëndësinë e Kuvendi në një Republikë Parlamentare. Kush ka arsye për mostransparencë hedh hije mbi veten e vet. Ndaj do ta fotoja që të përgjigjet saktë dhe brenda afatit", tha ai.

Në mbledhjen  e sotme të Komisionit, relatorja e çështjes Klotilda Bushka informoi se i është kërkuar administratës një informacion shtesë për ligjet që ka kthyer mbrapsht Presidenti dhe sa prej këtyre kanë lidhje me Bashkimin Evropian dhe e kanë penguar këtë proces.

Edhe sot në mbledhje janë transmetuar deklaratat e Metës në televizione dhe deklarata për shtyp si dhe po lexohen të gjitha postimet e tij në rrjetet sociale. Videot e shfaqura në Komision janë nga emisione ku Meta ka folur për kryeministrin Edi Rama, për 'shembje të regjiomit' apo për të rrëmbyer sfurqet dhe lopatat, por edhe video e përplasjes me policinë Bashkiake në zyrat e FRD-së. Komisioni mbylli mbledhjen e sotme pa përcaktuar një datë për mbledhjen e ardhshme. 

Pjesë të deklaratave të deputëve në mbledhjen e Komisionit Herimor për shkarkimin e Metës

Spartak Braho: Meqë është rasti, dua të nënvizoj faktin që në këtë përgjigje, Presidenti i Republikës e konsideron Komisionin Hetimor Parlamentar, abuziv dhe që vepron jashtë përcaktimeve Kushtetuese. Dua të theksoj fiks para katër vitesh ne e kemi zgjedhur president, ky parlament, kjo legjislaturë, e ka zgjedhur atë President.

Edmond Stojku: Në deklarimet e Presidentit, më ka shqetësuar reagimi i tij për mosnjohjen e Parlamentit, duke ditur që jemi Republikë Parlamentare. Këtu kujtoj pjesëmarrjen e Presidentit në Komisionin Hetimor 1, ku u paraqit. Edhe mua, s’na bëjnë përshtypje deklaratat e rënda mediatike të Presidentit. Unë vërtetë cuditem, nuk më duket normale, që komente adresohet ndaj aleatit tonë të madh dhe më të dashur e për popullin shqiptar që janë SHBA. Është thjesht konstatim, që ka filluar që para 2 vitesh e pak, e unë vërtetë shpreh keqardhjen, për këtë shprehi jo institucionale, që Presidenti i Republikës drejton ndaj një Parlamenti dhe aleati sic janë SHBA-të.

Klotilda Bushka: Referuar kërkesës së 49 kolegëve deputetë, një nga arsyet është dhe kthejsa e ligjeve në dekret. Duke iu përmbajtur planit të hetimit, do të kërkoja nga Kuvendi, me një shkresë, një raport, në lidhje me të gjitha ligjet e kthyera nga Presidenti, sa nga ato janë refuzuar, sa janë pranuar. Cilat janë pjesë e planit të integrimit të Shqipërisë në BE. Ky informacion të na vihet në dispozicion para të premtes, për të kuptuar se cila është periudha. Unë do të kërkoja periudhën 2020 dhe 2021.

Alket Hyseni: Miratohet, pa u hedhur në votë. Çdo pretendim i ngritur nga deputetët, do të administrohen. Ditën e djeshme i është nisur një kërkesë urës së komunikimit mes Presidencës dhe KQZ. Do të doja që publikisht, t’i bëj me dije që çdo shkresë e Komisionit Hetimor është i bazuar në rregulloren e Kuvendin, Kushtetutës, prandaj, përtej çdo pretendimi, do të ftoja jo vetëm Presidentin, por këdo tjetër, që të kuptojnë rolin e Parlamentit në një Republikë Parlamentare, e cila është maja e piramidës. Nga ana tjetër, kush ka arsye për t’u fshehur e mos u bërë transparent, hedh hije mbi vetën e vet. Kjo mungesë shkon në këtë logjikë. Do të ftoja që të përgjigjen saktë dhe me afat, sepse e kemi të kufizuar afatet e këtij komisioni.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:07
Meta refuzon paraqitjen në Komision, Spartak Braho: Ky është puç

 

Gjatë mbledhjes së Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Meta, deputeti Spartak Braho ka dashur të dijë arsyen se përse Meta nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e ditës së sotme. Ai është shprehur se nëse presidenti nuk njeh legjitimitetin e Kuvendit, atëherë po bën ‘puç’.

"Para se të vendosim dua të di shkakun e vërtetë pse s’vjen. Më zuri veshi se thatë që nuk njeh legjitimitetin e Kuvendit. Ta lexojmë, nëse nuk njeh legjitimitetin e Kuvendit, ky është puç, nuk njeh më republikën parlamentare, kështu është? Na e lexoni edhe një herë të lutem si është", tha Braho.

Ora 10:07
Është thirrur në Komisionin Hetimor për shkarkimin e tij, Ilir Meta i kthen përgjigje Kuvendit: Kërkesa palegjitimuar, fiktive dhe jashtë çdo lloj afati

Presidenti Ilir Meta i ka kthyer përgjigje Kuvendit lidhur me ftesën për t’u paraqitur në seancë dëgjimore në Komisionin Hetimor Parlamentar për shkarkimin e tij. Në një përgjigje të gjatë, Meta thotë se sipas tij kjo kërkesë, në përmbajtje të saj, nuk referon asnjë dispozitë kushtetuese dhe ligjore për bazueshmërinë e saj.

"Kuvendi duhet të mbajë në konsideratë se, çdo kërkesë për informacion në kuadër të ndonjë procesi “hetimor”, është e palegjitimuar, fiktive, jashtë çdo lloj afati, dhe jo vetëm që cenon hapur të gjitha parimet kushtetuese demokratike të shtetit të së drejtës, por në mënyrën se si është iniciuar, vlerësuar, miratuar dhe po vijon të realizohet, tregon qartë se përpiqet të krijojë idenë se Kuvendi po ushtron funksionet e tij, ndërkohë që, asnjë proces i kësaj natyre (hetimor) nuk mund të ushtrohet e të zhvillohet në këtë periudhë tranzitore të përfundimit të mandatit të Kuvendit aktual, dhe fillimit të ushtrimit të detyrës së Kuvendit të ri të zgjedhur më 25 prill 2021", shkruan ndër të tjera Meta.

Meta sqaron sipas tij arsyet se pse ky komision nuk mund të marrë vendime, duke theksuar se “ky Kuvend tashmë pas zgjedhjeve të zhvilluara më 25 prill 2021, ndodhet në një periudhë tranzitore, që i duhet të qëndrojë në detyrë si një detyrim kushtetues, por nuk ka as kohë dhe as legjitimitet të ndërmarrë iniciativa për asnjë lloj veprimtarie hetimore, ndaj askujt, dhe për asnjë arsye”.

Meta shkruan nw letrwn e tij se ky Kuvend, si në asnjë vend tjetër demokratik, që prej muajit shkurt 2019, nuk ka opozitë reale brenda tij.

"Ndaj dhe mungesa e opozitës në Kuvend, është një arsye më shumë, se përse Kuvendi aktual njëpartiak, në këto kushte, në këtë periudhë/kohë, e në këto rrethana, nuk gëzon asnjë legjitimitet për të ngritur, dhe as për të kryer veprimtari hetimore”, shkruan Meta.

Lajm në përditësim...

(Kthim përgjigja e Presidentit Kuvendit për K. Hetimor )

K.T./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Sulm masiv me raketa në Kharkiv! Zelensky: 2025 bëhet viti i paqes për Ukrainën

Lufta/ Sulm masiv me raketa në Kharkiv! Zelensky: 2025 bëhet viti i paqes për Ukrainën