Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu kërkoi që ccështja e drejtoreshës së shkarkuar të Shërbimit Informativ, Vlora Hyseni, të trajtohet me seriozitetin që i takon sigurisë kombëtare dhe për të të ketë diskutime urgjente në Konferencën e Kryetarëve.

“Kryetar, unë nuk mendoj që ka sot gjë më të rëndësishme, çdo deputet pavarësisht nga krahët politike, sesa të diskutojë për çështjet e sigurisë sonë kombëtare dhe interesit tonë kombëtar. 
Edhe sikur ne këtu të vazhdojmë këtë debat, pa fryt, duke poshtëruar parlamentin, me ca duartrokitje që s'kanë as sens as vlerë se nuk sjellin asgjë, ne nuk mund të zhbëjmë dot me këtë sjellje atë krim të madh që është bërë në raport me sigurinë kombëtare.  Sepse sot partnerët tanë, mediat ndërkombëtare, me të drejtë shtrojnë pyetjen se si ka mundësi që Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s, sigurinë e saj kombëtare, partneritetin me shërbime inteligjente ta lërë në dorë të krimit dhe të korrupsionit.  E them që ka rënë gjithë struktura e sigurisë jo për faktin e asaj çfarë ka bërë drejtoresha e Shërbimit Informativ Kombëtar se nuk më takon mua ta gjykoj, por sepse ka rënë piramida e sigurisë kombëtare duke filluar nga ai që propozon, që është kryeministri i vendit, që përpara se të propozojë drejtuesin e Shërbimit Informativ Kombëtar duhet të bëjë një veting të plotë për karakterin, vlerat, punën edhe për marrëdhëniet që ka pasur para dhe gjatë kryerjes së aktivitetit. Po ashtu është një veting tjetër që kryhet zoti kryetar, nga Presidenti i Republikës, i cili pavarësisht se e propozon kryeministri, ka detyrën që të bëjë vetingun me të gjitha institucionet për drejtuesin e Shërbimit Informativ Kombëtar.  Se siç e tha dhe zoti Berisha të gjitha informacionet, që merrni ju si kryetar i Kuvendit, që merr presidenti i Republikës, që merr kryeministri, apo dhe disa ministra, burojnë pikërisht nga Shërbimi Informativ Kombëtar dhe partneriteti me shërbimet inteligjente.  Prandaj mendoj kryetar që është e rëndësishme të diskutojmë dhe të dalim në disa përfundime. Dhe do t'ju kërkoja juve së pari kryetar, të bëni një diskutim në Konferencën e Kryetarëve.  Të kërkoni të gjithë informacionin, nga kryeministri, nga presidenti, nga shërbimi informativ, se si është përzgjedhur, si është bërë vetingu, mbi ç'lloj informacionesh, si është shkarkuar kjo zonjë dhe për çfarë arsye nga Shërbimi Informativ i Kosovës.  Të gjithë ato çështje të cilat do të na bëjnë ne të paktën, të marrim një qëndrim këtu sot, për atë që është interesi i sigurisë kombëtare pavarësisht nga dallimet politike që kemi me njëri-tjetrin. 
Në qoftë se kjo seancë do të vazhdojë kështu, ne jo vetëm kemi krijuar një problem të madh me sigurinë kombëtare, por e kemi zhbërë parlamentarizmin dhe po jua them, interesi i vetëm për ta zhbërë parlamentarizmin e këtij vendi është i krimit, të korrupsionit dhe pushtetit të Edi Ramës.”, tha Fatmir Mediu


Lajmi kryesor:

Tensione në Kuvend/ PD kërkon debat për SHISH: Ra siguria kombëtare, Rama të dorëhiqet! PS rrëzon kërkesën, opozita bllokon foltoren