Shkarkimi Spahiut, OSBE:
Diskutimi në parlament

Shkarkimi Spahiut, OSBE: <br />Diskutimi në parlament
Ambasadori i OSBE në Tiranë, Eugen Wollfarth, ka dhënë një deklaratë të shkurtë për mediat lidhur me situatën politike në vend dhe mbi të gjitha për hetimin e nënkryetarit të KLD, Kreshnik Sphahiu. Wollfarth foli në përfundim të konferencës kombëtare “Nxitja e një iniciative rinore të aftësisë së kufizuar në Shqipëri”, në të cilën merrte pjesë. Wollfarth duke folur për hetimin ndaj Spahiut sugjeroi se so ishte më mirë që parlamenti të diskutonte për funksionarët e lartë të qeverisë. Ndërkohë ambasadori u shpreh edhe mbi largimin e opozitës dje, nga Komisioni i Ligjeve duke thënë se “opozita nuk po mban një qëndrim anti-kushtetues”.

Sot, në komisionin e ligjeve duhet të shqyrtohej i pari kod që kërkon 84 vota. Nuk u arrit as të votohej, as të shqyrtohej. Mendoni së është vërtet i rrezikuar konsensusi që partitë arritën në nëntor të vitit të kaluar ose të paktën ka ngrirë?

Ambasadori Wollfarth: Konsensusi dhe deklarata për të vazhduar punën mbi bazën e atij konsensusi, nga fundi i vitit të kaluar drejt përgatitjes së të ardhmes, duhet të vazhdojë. Ai është i nevojshëm për përgatitjen e rrugës së mëtejshme që Republika e Shqipërisë të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian në rrugën e saj të integrimit të mëtejshëm në strukturat evropiane. Kushtetuta është shumë e mençur. Ajo thotë, në terma të përgjithshëm, se konsensusi është i nevojshëm për vendime themelore dhe Shqipëria, përmes zyrtarëve të saj publikë, e ka bërë gjithmonë të qartë se ajo dëshiron të bëhet pjesë e botës demokratike dhe perëndimore. Dhe për këtë çështje është shumë e rëndësishme të ketë një konsensus të gjerë, duke filluar nga populli, nga njerëzit, dhe ky konsensus të reflektohet edhe në nivelet më të larta politike. Pra, në këtë aspekt, është shumë e rëndësishme që hapat themelore, vendimet themelore dhe ligjet kryesore të miratohen me mbështetjen e shumicës dhe të opozitës. Kështu që në këtë kuadër, unë do të doja ta përsërisja ftesën për liderët politikë që ata të bëjnë maksimumin për ta gjetur këtë konsensus. Ai është i nevojshëm. Vendi juaj ka nevojë për ju, Shqipëria ka nevojë për ju, njerëzit kanë nevojë për ju. Vendimet duhet të merren sa më shpejt pas – dhe ky është një element i rëndësishëm – diskutimeve të shëndosha.

Zoti Ambasador, në lidhje me shkarkimin e zotit Spahiu, që është kërkuar nga maxhoranca. Cili është mendimi juaj. A mendoni se po shkelet ligji ndërkohë që Kreshnik Spahiu vetë miratohet me anë të Presidentit dhe jo me anë të maxhorancës?

Ambasadori Wollfarth: Nga një zyrtar publik, në çfarëdo pozicioni qoftë, do të prisja që t'ia kushtojë gjithë kohën detyrës në të cilën është emëruar. Është jo vetëm legjitime, por është edhe shumë e rëndësishme që pyetjet e rëndësishme të bëhen dhe përgjigjet e nevojshme të jepen në mënyrën e duhur në Parlament, sepse Parlamenti është vendi i duhur për këto pyetje. Një detyrë publike, që mbahet me paratë e taksapaguesve, duhet të respektohet dhe sjellja duhet të jetë e përshtatshme. Kur ngrihen pikëpyetje mbi sjelljen, sidomos kur bëhet fjalë për çështje të larta zyrtare, Parlamenti është një vend shumë i mirë, vendi më i mirë, dhe ndoshta i vetmi vend për ta bërë këtë. Institucioni më i rëndësishëm që ka një vend është parlamenti i zgjedhur në mënyrë demokratike, i cili duhet të respektohet.

Nuk përbën kjo përplasje ndërinstitucionale, duke pasur parasysh se çështja mund të shkojë në Gjykatën Kushtetuese? Si e shikoni qëndrimin e opozitës?

Ambasadori Wollfarth: Unë jam i sigurt se opozita u përmbahet rregullave demokratike. Nuk kam parë ndonjë shenjë se opozita ndryshon nga shumica në këtë pikë. Respekti demokratik për institucionet demokratike është thelbësor në çdo demokraci. Unë nuk shoh ndonjë problem. Dhe, meqenëse më pyetët për opozitën, unë nuk kam parë kurrë askënd në PS që të mos i përmbahet Kushtetutës. ah/Shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Rusia konfirmon sulmet ndaj xhihadistëve në Siri

Rusia konfirmon sulmet ndaj xhihadistëve në Siri