TIRANË- Brenda një dite, pagesa e sigurimit e detyrueshëm, TPL, për automjetet, u rrit më 6 mijë lekë. Si rrejdhojë, Këshilli Mbikëqyrës i kompanisë mori sot vendimin për shkarkimin e drejtorit të shoqërisë së sigurimeve “INSIG”, Tomorr Kalaja.

Po sot deputeti socialist, Erjon Braçe kërkoi sqarime dhe hetime për kartelin në Sigurime, ku është përfshirë edhe kompaninë e sigurimeve "INSIG". 


"Këshilli Mbikëqyrës i INSIG ka marrë sot vendimin për të shkarkuar nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë. Motivacioni i shkarkimit të zotit Tomorr Kalaja, është ndër të tjera vendimi për rritjen e tarifave për sigurimin e TPL-ve pa analizë dhe pakonsultim.
Masa e shkarkimit është marrë menjëherë pas vendimit të drejtorit të INSIG-ut për të rritur në mënyrë të paparalajmëruar dhe të pakonsultuar me Këshillin Mbikëqyrës çmimin e siguracionit të detyrueshëm të automjeteve."- thuhet në njoftimin e ministrisë së Financave.

Siç është bërë e ditur, të gjitha kompanitë e sigurimit brenda një dite të vetme kanë rritur tarifën e pagesës së sigurimit të detyrueshëm TPL për automjetet e zakonshme me 6 mijë lekë. 


ORA 20:30 SHOQATA E SIGURUESVE TË SHQIPËRISË SQARON RRITJEN E TPL-SË
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë ka sqaruar rritjen e TPL-së, duke e lidhur me rritjen e numrit të aksidenteve. Sipas Shoqatës së Siguruesve përllogaritja e TPL-së është atribut ligjor i kompanisë, dhe sqaron se rritja është ndikuar nga rritja e numrit të mjeteve që qarkullojnë. Shkak për rritjen e tarifave të sigurimit të mjeteve, sipas Shoqatës janë bërë edhe abuzimet me dokumentimin e shërbimit teknik të mjeteve, si dhe rritja artificiale e vlerave dëmshpërblyese me vendime gjyqësore.
 
“Rritja e TPL-së ka ardhur si pasojë e rritjes së aksidenteve. Po ashtu edhe si pasojë e rritjes së mjeteve që qarkullojnë. Rritja ka ardhur edhe si pasojë e shërbimit teknik të mjete, shpesh abuziv, si pasojë e infrastrukturës, jo në standardet e kërkuara; si dhe për shkak të rritjes së mjeteve të pasiguruara. Fondi i kompensimit financohet nga kompanitë e sigurimit për dëmshpërblimin e palëve të treta. Po kështu, janë rritur artificialisht vlerat dëmshpërblyese me vendime gjyqësore”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë.

Redaksia online
(e.s/esh/shqiptarja.com)