TIRANË -Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Punëve të Brendshme ekzekutoi Urdhërin e Prokurorisë për zbatimin e vendimit të masës së sigurimit personal "Arrest me burg", marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Lushnje, në ngarkim të punonjësit të policisë N/Komisar Gjergji Fatmir Çelaj, me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Divjakë.
Çelaj akuzohet për veprat penale të "Shpërdorimit të detyrës", "Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "Nxjerrjes së sekretit".
Arrestimi i tij u bë sepse në kohë të ndryshme përgjatë vitit 2014, ka favorizuar persona që ushtronin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në zonën e Divjakës.
Në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme monetare, nga pronarët e disa pikave të basteve që ushtronin aktivitet të paligjshëm, dyshohet se Gjergji Çelaj dekonspironte operacionet e Policisë së Shtetit, për goditjen e këtij aktiviteti të paligjshëm./ATSH/