Numri i qytetarëve që nuk respektojnë masat antiCOVID vijon të mbetet i lartë. Policia e Shtetit, në 24 orët e fundit ka gjobitur 1124 që i thyen këto masa.

Prej tyre, 916 persona u kapën duke lëvizur pa maska në rrugë. Ata u ndëshkuan me 3000 lekë, shumë e cila do u faturohet në faturën e energjisë elektrike.

187 prej tyre, ishin qytetarë që udhëtonin në makinë me persona që nuk kishin lidhje familjare dhe ishin pa maska.

Gjatë këtyre kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë, 6 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative dhe janë lënë të lirë.

 Për administratorët e 6 lokaleve që janë konstatuar duke ushtruar aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.

Gjithashtu, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 15 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.