Shkelet ligji, Nishani bllokon
ngritjen e organeve të Vettingut

Shkelet ligji, Nishani bllokon<br />ngritjen e organeve të Vettingut
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, duket se po i bashkohet frontit për bllokimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi, për të cilën është investuar si asnjëherë më parë Perëndimi, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe pse i detyruar me ligj, kreu i shtetit ka vendosur të mos i hapë rrugë zbatimit të menjëhershëm të ligjit të Vetingut, i cili do të kalojë në skaner të trefishtë prokurorët dhe gjyqtarët, për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësisë profesionale. Ligji i Vetingut ka hyrë në fuqi që në fund të javës që kaloi.

Neni 7 pika 1 i ligjit parashikon që Presidenti i Republikës shpall menjëherë thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për pozicionet e të gjithë anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit në faqen zyrtare të internetit, si dhe në dy gazeta me tirazhin më të lartë në vend. Institucionet e rivlerësimit janë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe komisionerët publikë.

Bllokimi
Edhe pse ligji ka hyrë në fuqi, duke e detyruar kreun e shtetit të shpallë menjëherë thirrjen për shprehjen e interesit të kandidatëve, Presidenti nuk e njeh ligjin e Vetingut dhe për pasojë as detyrimet që rrjedhin prej tij. Pika 1 e nenit 7, parashikon gjithashtu që thirrja për paraqitjen e shprehjes së interesit përmban afatin, brenda të cilit duhet të dorëzohet shprehja e interesit, adresën postare ku duhet të dorëzohet dhe listën e dokumenteve që duhet të shoqërojnë atë. Ndërkaq, një komision i përbërë nga të paktën tre përfaqësues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit vlerëson kandidatët. Por, mosveprimi i kreut të shtetit më shumë se një sfidë ndaj shumicës në pushtet, lexohet si një provokim ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, të cilët janë investuar jo vetëm për hartimin e ligjit dhe konfirmimin e ligjshmërisë së tij, por do të angazhohen për zbatimin e tij, me anë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Në lojë Avokati i Popullit
Ekspertët e misioneve të SHBA-BE në Tiranë dhe ligjvënësit shqiptarë e kanë parashikuar një situatë të tillë, pra mundësinë që Presidenti i Republikës të mos njohë ligjin e miratuar nga Parlamenti. Në këto kushte, në paragrafin e fundit të nenit 7 është ofruar një zgjidhje. Paragrafi parashikon që nëse Presidenti i Republikës nuk e ushtron këtë kompetencë brenda 5 ditëve, kjo kompetencë i kalon automatikisht Avokatit të Popullit. Në këto kushte, do të jetë Avokati i Popullit, i cili pritet të zbatojë nenin 7 të ligjit për vlerësimin kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve, ndërsa opozita shpreson në pezullimin e ligjit nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Afati për pasuritë
Prokurorët dhe gjyqtarët duhet të mendojnë që tani për deklarimin e pasurive. Ligji parashikon që prokurorët dhe gjyqtarët plotësojnë nga fillimi deklaratën e pasurisë, brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi dhe ta dërgojnë pranë ILDKPKI. ILDKPKI-ja fillon menjëherë procedurën e kontrollit. Subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur me të, së bashku me deklaratën e pasurisë, paraqesin të gjitha dokumentet që justifikojnë vërtetësinë e deklarimeve për ligjshmërinë e burimit të krijimit të pasurive.

Kontrolli i figurës
Prokurorët dhe gjyqtarët duhet të kujtojnë dhe listojnë personat e dyshimtë më të cilët kanë miqësi, kanë konsumuar dreka dhe darka, kanë dalë në fotografi etj. Ata duhet të plotësojnë deklaratën për kontrollin e figurës brenda 30 ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të tij dhe ta dërgojnë atë pranë Drejtorisë së Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar. Kjo e fundit fillon menjëherë procedurën e kontrollit të figurës. Ligji parashikon afate dhe procedura të mirëfillta, por opozita shqiptare dhe njerëzit e drejtësisë i kanë sytë tek Gjykata Kushtetuese.
 
Bllokada
“Kreu i shtetit ka vendosur të mos i hapë rrugë zbatimit të ligjit të Vetingut, i cili do të kalojë në skaner të trefishtë prokurorët dhe gjyqtarët, për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësisë profesionale”.
 
Provokimi
Mosveprimi i kreut të shtetit më shumë se nja sfidë nga shumicës në pushtet, lexohet si një provokim ndaj SHBA, të cilët jo vetëm janë investuar për hartimin e ligjit, por do të angazhohen për zbatimin e tij.

Ligji në fuqi vepron
Ligji për vlerësimin kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve ka hyrë në fuqi dhe vepron, për deri sa nuk ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar efektet e tij. Neni 45 i ligjit për Gjykatën Kushtetuese, parashikon që gjykata, kryesisht ose me kërkesë të palës, kur vlerëson se zbatimi i ligjit ose i aktit mund të sjellë pasoja që prekin interesa shtetërorë, shoqërorë ose të individëve sipas rastit, me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve ose në seancën plenare, urdhëron pezullimin e ligjit ose të aktit. Pezullimi vazhdon derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi. Vendimi për masën e pezullimit i njoftohet organit përkatës që ka nxjerrë ligjin ose aktin, si dhe bëhet publikimi i tij. Gjykata Kushtetuese në çdo fazë të shqyrtimit të çështjes, me vendim në seancën plenare, mund të heqë masën e pezullimit.

Neni 7 i ligjit për Vetingun
 1. Presidenti i Republikës shpall menjëherë thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për pozicionet e të gjithë anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit në faqen zyrtare të internetit, si dhe në dy gazeta me tirazhin më të lartë në vend.
 
6. Presidenti i Republikës menjëherë ia përcjell Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit listat e përpiluara, sipas pikës 5, të këtij neni, dhe të gjitha dosjet individuale të kandidatëve, si dhe publikon listën e plotë të kandidatëve në faqen zyrtare të internetit, të grupuar sipas secilit pozicion.
 
7. Një komision i përbërë nga të paktën tre përfaqësues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit vlerëson kandidatët. Jo më vonë se 14 ditë nga paraqitja e dy listave nga Presidenti i Republikës, ky komision, bazuar në vlerësimet e arsyetuara, lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve, i dërgon rekomandimet Presidentit, i cili ia përcjell ato Kuvendit. Nëse Presidenti nuk e ushtron këtë kompetencë brenda 5 ditëve, kjo kompetencë i kalon Avokatit të Popullit.

dok nishani


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

'Më fal, nuk ia dola dot!' Policia gjen letrën e pedagogut amerikan në Tiranë që mbyti gruan e 2 qentë me litar e vari veten

'Më fal, nuk ia dola dot!' Policia gjen letrën e pedagogut amerikan në Tiranë që mbyti gruan e 2 qentë me litar e vari veten