Një ditë pas rënies fatale nga skela të 50 vjeçarit Pëllumb Mollaj, Policia e Beratit ka vënë në pranga dy persona që e kishin kontraktuar për rikonstruksionin e një banese në lagjen Uznovë. Një prej tyre është edhe pronari i banesës.
Sipas njoftimit të policisë, personat me iniciale E. Z., 40 vjeç, dhe L. T., 43 vjeç akuzohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Mollaj kishte hipur në skelë për të rikonstruktuar çatinë e banesës së personit me iniciale L.T, kur ra dhe humbi jetën.
Policia thotë se hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
“Në vijim të informacionit të dhënë mesditën e djeshme, për shtetasin P. M. që humbi jetën dyshohet si pasojë e rënies aksidentale, nga skela, informojmë se në vijim të veprimeve procedurale në lidhje me këtë rast, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat arrestuan në flagrancë shtetasit E. Z., 40 vjeç dhe L. T., 43 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Nga verifikimet rezultoi se të arrestuarit kishin nënkontraktuar shtetasin P. M., për rikonstruktimin e një banese në lagjen “Uznovë”.”
Komente










