Shkelje në seri: Gjatë qeverive Kurti I dhe Kurti II Kushtetuta në Kosovë është shkelur gjashtë herë

Shkelje në seri: Gjatë qeverive Kurti I dhe Kurti II Kushtetuta në Kosovë është shkelur gjashtë herë

Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje sa ishte në opozitë ishte shumë e zëshme ndaj pushteteve që e shkelnin Kushtetutën e Kosovës. Ata që shkelnin atë konsideroheshin “super kriminel”.

Pas ardhjes në pushtet, as deputetët dhe ministrat e VV-së nuk ia kanë lënë lehtë me shkelje të aktit më të lartë juridik dhe politik të vendit. Madje, në Qeverinë Kurti I dhe Qeverinë Kurti I shkelja e Kushtetutës është shpeshtuar. Gjatë mandatit të këtyre dy qeverive Kushtetuesja ka konstatuar se Kushtetuta është shkelur plotë gjashtë herë.

Një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese ka nxjerr një njoftim që tregon për shkeljen më të re të Kushtetutës nga deputetët e mazhorancës.

Kushtetuesja ka konstatuar se vendimi i Kuvendit të Kosovës i marrë më 8 korrik 2021 për ta shkarkuar Bordin e Radio Televizionit të Kosovës ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, shkarkimi i 8 anëtareve të bordi nuk ka qenë në përputhje me nenin 7 dhe nenin 67 të Kushtetutës.

“Në rastin KO 134/21, Gjykata ka vendosur njëzëri që (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; dhe (ii) të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme lidhur me efektet e Vendimit të kontestuar. Ndërsa, me pesë (5) vota për dhe dy (2) vota kundër, Gjykata ka vendosur të konstatojë që (i) Vendimi [nr.08-V-036] i 8 korrikut 2021 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të RTK-së nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] dhe paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës; dhe (ii) konstatimi i lartcekur, përkatësisht Aktgjykimi i Gjykatës, nuk ka efekt prapaveprues dhe nuk afekton të drejtat e fituara të palëve të treta”, është thënë në njoftimin e Kushtetueses.

Në mars të këtij viti, Gjykata Kushtetuese kishte rrezuar Ligjit nr. 08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke e konsideruar si anti-kushtetues. Kjo është konsideruar prej shkeljeve më të rënda të Kushtetutës, meqenëse Ministria e Drejtësisë kishte nxjerr një ligj, i cili nuk ishte në përputhje me aktin më të lartë juridik në vend.

Gjykata kishte vlerësuar se ligji në fjalë cenonte pavarësinë kushtetuese të Këshillit Prokurorial dhe ndarjen e balancuar të pushteteve.

Në mars të vitit të kaluar, Kushtetuesja kishte konstatuar se Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e kishte shkelur Kushtetutën lidhur me reformat në arsim në komunën e Kamenicës.

Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij akti është parashtruar nga Komuna e Kamenicës.

Gjithashtu, gjykata kishte vlerësuar si antikushtetues vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 30 qershorit 2021, për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Shkeljet gjatë Qeverisë Kurti I

Edhe Qeveria Kurti I ishte karakterizuar me shkelje të aktit më të lartë juridik të vendit. Gjatë asaj kohe shkeljet kishin të bënin me masat pandemike.

Në atë kohë, gjykata kishte vlerësuar se vendimi nr. 01/15 të Qeverisë, i marrë me 23 marsit 2020, për kufizimin e lëvizje se qytetarëve ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Gjykata kishte konstatuar se kufizimet që përmban vendimi i Qeverisë nuk ishin të “përcaktuara me ligj”, dhe në këtë mënyrë ishin në kundërshtim me Kushtetutën.

Gjithashtu, Kushtetuesja e kishte vlerësuar si jo kushtetues vendimin(nr. 214/IV/2020) e 12 prillit 2020 të Ministrisë së Shëndetësisë, për shpalljen e Komunës së Prizrenit “zonë karantinë”; dhe Vendimeve [nr. 229/IV/2020], [nr. 238/IV/2020], [nr. 239/IV/2020] të 14 prillit 2020 të Ministrisë së Shëndetësisë, për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID-19 në territorin e Komunave të Prizrenit, Dragashit dhe Istogut.

"Nuk keni parë gjë akoma"

Në shumicën e rasteve kur Kushtetuesja ka konstatuar se institucionet shtetërore kanë shkelur kushtetutën, përpilues dhe përfaqësues i rasteve në gjykatë ka qenë avokati i Grupit Parlamentar të PDK-së, Faton Fetahu.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka thënë se janë shqetësuese shkeljet e shpeshta të Kushtetutës nga institucionet e Kosovës.

“Për shkak të përvojës relativisht të gjatë në procese kushtetuese, kam pasur fatin që të angazhohem në kapacitetin profesional në betejat kushtetuese që janë zhvilluar viteve të fundit, dhe të cilat, padyshim përbëjnë jo vetëm raste studimore për kadedrat e drejtësisë kushtetuese, por paraqesin njëkohësisht edhe apetitet abuzive për pushtet të pakufizuar të bartësve të jetës institucionale të kësaj qeverie, si në mandatin e parë, ashtu edhe tani, në mandatin e dytë”, ka thënë ai.

Sipas tij, në shoqëritë demokratike shkelja e kushtetutës konsiderohet prej shkeljeve më të rënda.

“Në një Shtet të së Drejtës, shkelja e Kushtetutës konsiderohet prej veprave më të rënda dhe përkundër mungesës së sanksionit penal, më e pakta, këto shkelje prodhojnë trazim kolektiv i cili nuk mund të tejkalohet ndryshe përveçse me dorëheqje apo shkarkim. Pra, me përgjegjësi të pashmangshme politike. Fatkeqësisht, në rrethanat aktuale të vendit tonë, ky nuk është rasti. Sjellja me papërgjegjshmëri e pushtetarëve aktual, nuk është vetëm për shqetësim. Është alarmi i fundit për shoqërinë, sepse është përpjekja e hapur për dhunimin e rendit kushtetues dhe nënshtrimin e tij ndaj kultit të një individi dhe pushtetit të tij, në emër të ‘sovranit’.”, ka vlerësuar Fetahu.

Ai ka paralajmëruar se edhe ligjet tjera që janë dërguar në Kushtetuese do të fitohen nga opozita.

“Prandaj, konsideroj se nuk kemi parë gjë akoma. Tashmë, ka prova të bollshme se sfidimi i sistemit kushtetues është veprimtaria më e suksesshme e pushtetit të Albin Kurtit, të cilin fatmirësisht, deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së, po e parandalojnë, përveç tjerash dhe për aq sa është e mundur, edhe përmes ngritjes së rasteve në Gjykatën Kushtetuese, ku autori i këtyre rreshtave gëzon besimin e plotë të tyre për të ndërtuar e përfaqësuar këto raste në instancën e specializuar të kontrollit të kushtetutshmërisë në Republikën e Kosovës”, ka vlerësuar Fetahu.

Partitë opozitare kanë dërguar edhe disa ligje për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese.

Ligji për Zyrtarët Publik, Ligji për Byron për konfiskimiin e pasurisë, Ligji për pagat, Ligji për çmimet tavan dhe Ligji për Pagën minimale janë në proces të shqyrtimin nga Kushtetuesja.

Po ashtu, Grupi Parlamentar i PDK-së ka parashtruar kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare të 13 korrikut. Partia më e madhe opozitare ka vlerësuar se kjo seancë ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës./Nacionale

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mario: 02/08/2023 21:10

    Ballkoni perrallor i Kurtit ku serviret vetem uje i ndenjur ne levore kokosi

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?



×

Lajmi i fundit

'Ligjet' ngrihet nënkomisionit për vakancat në KLP e KLGJ, Alibeaj: Doni të emëroni njerëzit tuaj për të kapur kreun e SPAK

'Ligjet' ngrihet nënkomisionit për vakancat në KLP e KLGJ, Alibeaj: Doni të emëroni njerëzit tuaj për të kapur kreun e SPAK