TIRANE - Task Forca Antikorrupsion në Ministrinë e Drjetësisë në një kontroll në Doganën e Portit të Durrësit, evidentoi  një sërë shkeljesh, që sollën penalizime për 28 doganierë, mes të cilëve edhe kryetarin e Doganës së Durrësit. Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, njoftoi në një konferencë për mediat, se janë marrë 28 masa disiplinore, dhe për të rekuperuar dëmet e shkaktuara nga shkelja e ligjit, doganierëve do tu mbahet 1/3 e pagës së tyre.

Ministrja tha se kryetarit të Doganës së Durrësit, i pezullohet e drejta e ngritjes në detyrës, dhe nuk mund t'i rritet as paga për një periudhë 2-vjeçare.

18 doganierëve të tjerë, të clët janë hasur në shkelje, do t'i mbahet 1/3 e pagës së plotë për një periudhë gjashtë mujore.

5 specialistëve të Zyrës së Rikuperimit me Forcë të Borxhit Doganor, do t'i mbahet deri në 1/3 e pagës së plotë për një periudhë deri në gjashtë muaj.

Gjithashtu morën  “vërejtje”4 përgjegjës sektori pranë sektorit të operacioneve doganore, pranë zyrave të terminaleve si dhe të përpunimit të trageteve

Por cilat janë shkeljet që evidentoi Task Forca Anti-korrupsion?!

Ministrja evidentoi:

-Praktika zhdoganimi që nuk administrojnë procesverbalin e kontrollit fizik, të formularit të rivlerësimit doganor,

-Mosrespektimin e parashikimeve ligjore si dhe të manualit “mbi procedurat standarde të punës për kontrollin fizik bazuar në risk të ngarkesave dhe  mjeteve të transportit”.

-U evidentua se në disa praktika mungojnë të dhënat mbi numrin e imazhit të skanimit dhe rezultatet e skanimit.

-Si dhe mos respektim të procedurave dhe kërkesave të parashikuara në legjislacionin në fuqi, në fushën e vjeljes së detyrimeve doganore të akcizës dhe rikuperimin me forcë të borxhit doganor.

Kallezim penal zyres se Avokatise, tejkaloi kompetencat

Në përfundim, ministrja Gjonaj tha se është bërë kallëzim penal në Prokurori për zyrën e avokatisë 'ADCA" dhe përfaqësuesit e saj për veprën penale "përvetësim i titullit apo i detyrës shtetërore.

"Task Forca Antikorrupsion konstaton se përfaqësuesit dhe punonjësit e kësaj zyre avokatie me veprime konkrete kanë tejkaluar dhe shpërdoruar kompetencat në fushën e përfaqësimit ligjor dhe me veprime konkrete kanë përvetësuar atribute që nuk i kanë, duke kryer funksione si zyrë përmbarimore apo përmbarues gjyqësor. Për ketë arsye i bej thirrje dhe dhomave kombëtare të kryejnë me përgjegjësi funksionin e mbarëvajtjes brenda ligjit të aktivitetit të zyrave", tha ministrja.

Anti-korrupsioni, 29 te hetuar ne nje jave

Ministrja e Drejtësisë, ka bërë edhe një bilanc për javën që lamë pas, kur tha se "nga strukturat që luftojnë korrupsionin në Policinë e Shtetit, janë evidentuar 17 vepra penale në fushën e korrupsionit, dhe shpërdorimit të detyrës, ku 29 persona janë proceduar penalisht. Për të gjitha rastet e evidentuara, nga strukturat për hetimin e korrupsionit dhe Drejtoria Qendrore e Hetimit, janë kryer veprimet hetimore dhe rastet janë referuar në Prokurori, për veprat penale, korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike dhe shpërdorimi i detyrës".