Shqiptarët si komb duket se janë të mësuar t’i respektojnë dhe t’iu nënshtrohen të huajve, ndërsa kur ata vijnë si misionarë, atëherë i dëbojnë nga vendi ose edhe i linçojnë si herezi.
Kështu ka ndodhur në kohën e gjeneralit Tomson, një shekull më parë, e kështu fatkeqësisht po ndodh edhe sot në Kosovë.

Edhe pse shqiptarët sot sillen më ndryshe, megjithatë mentaliteti ka mbetur i pandryshueshëm dhe miop.

Në fillim të shekullit të kaluar shqiptarët pa rezon, e vranë gjeneral Tomsonin që kishte ardhur nga Mbretëria e Holandës me mision për ta ndërtuar Gardën Shqiptare, ndërsa sot për çështje politike, ia krijojnë infrastrukturën gjyqtarëve ose edhe ekspertëve amerikanë dhe evropianë që të ikin nga Kosova.

Dy ditë më parë u dha lajmi se nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës iku gjyqtari amerikan, Robert Carolan. Sipas njoftimit zyrtar, Carolan dha dorëheqje për “çështje personale”, ndërsa ikja e tij e bllokoi funksionimin e Gjykatës të paktën për disa javë.
Por, a mund t’i besohet deklaratës që lëshoi për opinion Enver Hasani, se gjyqtari amerikan iku për çështje “personale”?.

Apriori të krijohet një hapësirë dyshimi, se amerikani iku nga Gjykata sepse pa padrejtësi, sidomos në periudhën e fundit kur Kushtetuesja ia dha të gjitha kompetencat Partisë Demokratike të Kosovës për ta bërë Kuvendin dhe për Qeverinë, por jo edhe Bllokut që ka shumicën e deputetëve në Kuvend.

Sidomos, dorëheqja e tij erdhi pasi u publikua lajmi se ishte Carolan, gjyqtari i vetëm nga kori kushtetues që votoi kundër shkarkimit të Isa Mustafës nga posti i kryeparlamentarit dhe rreth koalicionit e grupeve parlamentare.
Në këtë betejë duket se Carolan u ndje i vetmuar, prandaj edhe ka vendosur që ta lërë detyrën “me faqe të bardhë” duke mos nënshkruar më kontratën e re.

Edhe nëse kjo çështje lidhet për pagën mujore, ose edhe për çështje të tjera që vërtet janë personale, ikja e tij hëpërhë i lë një shije të keqe Kosovës dhe imazhit të saj.
Po ashtu në aspektin parimor ikja e Carolan ka lënë Kushtuesen të bllokuar nga aspekti i vendimmarrjes, pasi që me ligj, kjo Gjykatë funksionon me shtatë gjyqtarë, nga nëntë sa i ka gjithsej.

Aktualisht Kushtetuesja ka vetëm gjashtë gjyqtarë, meqë Kadri Kryeziu, njëri nga gjyqtarët është i suspenduar për shkak të përfshirjes të tij nëpër tubime elektorale të PDK-së, dhe sipas kësaj strukture, pa Carolin Gjykata është në “out”.

Ky është rasti i dytë që përfaqësuesit e shtetit më me ndikim në botë (SHBA) dhe atyre që investuan më së shumti për pavarësinë e Kosovës, ikin nga vendi ynë.
Në maj të vitit 2013, nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit u largua ish-anëtarja amerikane, Bernadete Roberts, pasi vërejti disa parregullsi në menaxhim të këtij Bordi.

Atëbotë lidershpi kosovar duket se reflektoi më pozitivisht dhe e detyroi ish-kryetarin e Bordit të japë dorëheqje të menjëhershme.
Ndërsa tashti në këtë krizë politike, ku secili tabor insiston të bëjë Qeverinë dhe Kuvendit, edhe ndonjë hata më e madhe të ndodhë, askujt nuk i bën përshtypje.

Ikja e gjyqtarit, por edhe e ish-anëtares së Bordit të AKP-së, duhet t’u shërbejë si leksion kosovarëve, se interesat partiake nuk mund të reflektohen mbi personalitetin e zyrtarëve amerikanëve në veçanti.
Prandaj në secilin institucion duhet të reflektohet në mënyrë më pozitive, ndërsa aty ku flet drejtësia, edhe refleksionet anësore janë më të vogla.