Donald Trump ka kritikuar ashpër komentet Jimmy Kimmel për të dhe Melanian gjatë javës së shkuar, para se të ndodhte sulmi me armë në darkën e gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë. Presidenti i SHBA-ve ka kërkuar që komediani të shkarkohet nga detyra e tij.
Kimmel tha se Zonja e Parë kishte “një shkëlqim si një vejushë e ardhshme.”
Komentet e Kimmel, i cili “nuk është aspak gazmor”, ishin “vërtet tronditëse”, tha Trump. Ai e akuzon moderatorin se ka përdorur programin për të bërë thirrje për dhunë.
“Uau, Jimmy Kimmel, i cili nuk është aspak gazmor siç dëshmohet nga shikueshmëria e tij e dobët televizive, bëri një deklaratë në emisionin e tij që është vërtet tronditëse,” fillon postimi në Truth Social.
Trump citon shakanë e Kimmel e më pas shton:
“Një ditë më vonë një i çmendur u përpoq të hynte në sallën e ballos së darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, i armatosur me një pushkë gjahu, pistoletë dhe shumë thika,” thotë Trump, duke shtuar se i dyshuari “ishte aty për një arsye shumë të qartë dhe ogurzezë”, shkruan presidenti.
Ai bën thirrje që Kimmel të “shkarkohet menjëherë” nga Disney dhe ABC.
Postimi vjen pasi Melania Trump e akuzoi Kimmel për përdorimin e “gjuhës së urrejtjes dhe dhunës.”
“Ai monolog për familjen time nuk është komedi – fjalët e tij janë gërryese dhe thellojnë sëmundjen politike brenda Amerikës,” tha ajo. “Sa herë do të lejojnë drejtuesit e ABC sjelljen e tmerrshme të Kimmel në kurriz të komunitetit tonë.”
Kimmelit iu pezullua transmetimi i emisionit shtatorin e kaluar pasi komentoi vrasjen e Charlie Kirk, por u rikthye pas një jave.
Komente










