Protestat e studentëve gjatë muajit dhjetor përbënë një risi në jetën publike të Shqipërisë, të mësuar me protesta partiake dhe protestues profesionistë që paguhen për të dalë në demonstratë. Këmbëngulja disaditore dhe masiviteti i protestës fitoi zemrat e shumë qytetarëve dhe analistëve të cilët u rrekën që ta glorifikonin apo romantizonin këtë protestë duke bërë paralelizma edhe me studentët e dhjetorit të vitit 1990.
Parullat simpatike, kreative, të hedhura – karakterizuar nga ironia e mprehtë si dhe qytetaria e vetëpërmbajtjes me të cilën u zhvilluan, i dhanë një imazh akoma më të pranueshëm për qytetarët. Tek shumë u krijua një iluzion se më në fund shqetësimet për varfërinë, emigracionin masiv, korrupsionin, kriminalizimin e të tjera probleme therëse në vendin tonë, po gjenin një zë dinjitoz, të fuqishëm e përfqësues tek protestat e studentëve. Po ashtu shumë opozitarë e kritikë të qeverisë fërkuan duart me shpresën se “patatet e nxehta” të sulmeve ndaj qeverisë do i nxirrnin me duart e studentëve.
Shfaqja e këtyre protestave në ditët e para krijoi një tronditje tek Partia Socialiste dhe lideri i saj, që kishte bindjen se ishte në modë dhe me ekzibicionizmin dhe ekstravagancën e tij gëzonte pëlqimin e brezave të rinj. Po ashtu të mësuar me një opozitë goxha të mefshtë e pa ndonjë epërsi të madhe morali, kjo protestë erdhi si një dush i ftohtë i paparashikuar për mazhorancën.
Aktivizmi studentor në vetvete është një lajm i mirë për shëndetin e demokracisë sepse lë të kuptohet se brezat që po vijnë nuk kanë për të ngelur indiferentë apo cinikë në politikë. E drejta e fjalës, e të bashkuarit dhe e medias janë shtylla të kushtetutës sonë e për rrjedhojë e drejta për të protestuar është e ligjshme dhe legjitime.
Po ashtu vënia në pikëpyetje e qeverisë, kërkimi i llogarisë, ngritja e zërit pa patur frikë nga ndëshkimi janë parime themelore të demokracisë dhe protestat e studentëve në njëfarë mënyre shërbyen si ripërtërirje të frymës demokratike. Janë të shumta rastet historike ku aktivizmi studentor solli një impakt të rëndësishëm për gjithë shoqërinë. Kështu për shembull protestat pacifiste në SHBA kundër luftës së Vietnamit gjatë viteve 1966-69 u bënë pothuaj ekskluzivisht në kampuset universitare.
Mes tyre pikati Universiteti Shtetëror i Kentit ku u vranë katër studentë në përleshje e sipër me policinë. Lufta kundër aparteidit në Afrikën e Jugut pati kulmin e vet në 1976 kur mbi 20000 studentët e Sowetos u përballën me një polici mizore e cila vrau 176 prej tyre duke ndërkombëtarizuar çështjen e aparteidit dhe nxitur reagim të rreptë brenda dhe jashtë vendit. Protesta më e famshme studentore është ajo e sheshit të Tienanmenit në Pekin në vitin 1989 që ishte shkëndija e parë e fuqishme për demokraci në Kinë.
Po ashtu një marshim i qetë i studentëve të Pragës në 17 Nëntor 1989 me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Studentëve, u shndërrua në një ortek me mbi gjysëm milionë qytetarë të drejtuar prej Havelit që çoi drejt lëshimit të pushtetit prej partisë komuniste duke fituar emrin Revolucioni i Purpurt. Protestat e fundit studentore që kanë bërë bujë kanë qenë ato në SHBA për çështje të diskriminimit racor si dhe për kufiizmin e përdorimit të armëve. Pra ka një pritshmëri të arsyeshme që protestat studentore t’i shërbejnë gjithë shoqërisë e jo vetëm studentëve.
Mirëpo shumë shpejt këto shpresa filluan të veniten sidomos kur protestuesit deklaroheshin në mënyrë naive se nuk merreshin me politikë (nuk ka protestë apolitike kur target është qeveria).
Pra një ndër zhgënjimet kryesore që u prek nga opinioni i gjerë publik ishte mungesa e kërkesave konkrete politike që të sintetizonin apo mishëronin shqetësimet e mbarë shoqërisë për realitetin. Kur kërkesat që u paraqitën, ishin të kufizuara tek interesat materiale të studentëve ose disa kërkesa tashmë të përfolura shumë herë, këta protestues filluan të ngjanin si “rebelë pa kauzë”.
Nga lokomotivë të ndryshimeve shoqërisë studentët u shpërfaqën tek shumë të tjerë si një grup interesi që lobonte për leverdi të vet, si të ishin minatorë që donin rritje të rrogës apo bujq që donin shtim të subvencioneve. Për shumë qytetarë fillimisht entuziastë si unë, ditët që vijuan të protestës dhe mungesa e mesazheve të qarta politike apo të programit ideor, lanë përshtypjen e manifestimit të një frustrimi të moshës dhe aq.
Ngjashëm me protestën absurde për armët kimike e cila mori përmasat e historisë kolektive masive dhe mandej u shfry si tollumbace pa ndonjë reflektim, kur amerikanët vendosën ta zbërthenin vetë atë arsenal kimik në një anije në ujërat ndërkombëtare të Mesdheut. Pra kjo protestë ka probabilitet të madh të katandiset si protesta naive për armët kimike, duke u shndërruar në “shumë zhurmë për asgjë”.
Është qesharake të thuhet që kërkesat e studentëve protestues janë jopolitike, sepse jo vetëm mjeti i zgjedhur por edhe përmbajtja e tyre është kryekëput politike duke nisur nga ajo për anullimin e ligjit për Arsimin e Lartë. Kur analizohet lista me 8 kërkesa mund të thuhet se shqetësimet janë legjitime, mirëpo disa kërkesa janë naive e disa të tjera qartazi ideologjikisht të majta, të tejkaluara. Shtimi i peshës së vendimmarrjes së studentëve në 50% është pa precedent edhe për universitetet më të majta të Evropës.
Garantimi i transparencës me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë është një detyrim ligjor prej kohësh, nuk ka kuptim përse të jetë ndërhyrje ad hoc nga kryeministri për ta garantuar. Po ashtu nuk ka kuptim që të thuhet se nuk do kthehemi në bankat e shkollës pa u përmbushur kërkesat kur dihet që pika 4: rishikimi i titujve shkencorë, 7: i ndërtimit të një biblioteke me standarde evropiane, 8: e performancës në mësimdhënie janë procese që kërkojnë vite punë deri në realizim.
Pajisja e studentëve me “Kartë Studenti” është diçka tashmë e tejkaluar dhe e shteruar sepse është detyrim i sanksionuar ligjor që para një dekade mirëpo nuk ka ndonjë vlerë kushedi kryesisht sepse sektori privat nuk ka ndonjë interes të japë zbritjet, ndërkohë që shërbimet e sektorit publik, si bileta për muze e shfaqje, janë goxha të kufizuara.
Po ashtu rritja e buxhetit për arsimin është diçka e vjetër që kur kërkohej nga Lëvizja Mjaft qëmoti në ditët e saj të para.
Në Shqipëri është dëshmuar se edhe kur janë rritur pagat e pedagogëve nuk është rritur cilësia e arsimit, përkundrazi, pra arsimi kërkon zgjidhje më të ndërlikuara e gjithpërfshirëse sesa një shkop magjik të thjeshtë si rritja buxhetit.
Është padyshim mirë që të shtohet buxheti për arsimin, mirëpo historia e tranzicionit shqiptar ka dëshmuar se më shumë para nuk përkthehet detyrimisht në më shumë cilësi por në më shumë abuzim.
Gjithsesi kryeministri shumë herë e ka pranuar se kërkesat janë të drejta dhe është zotuar se do t’i zgjidhë ato kërkesa. Qeveria ka reaguar, është angazhuar e ka ndërmarrë disa veprime për t’i përmbushur pjesën më të mëdha të kërkesave e madje është ndryshuar edhe ministrja e arsimit.
Për sa kohë nuk ka ndonjë qëllim tjetër apo të ardhme të qartë për lëvizjen studentore, një aspekt i rëndësishëm i çdo proteste, ajo nuk ka përse të vazhdojë. Me bllokimin e rrugëve dhe me vazhdimin me kërkesa të njëjta që po adresohen, studentët thjesht do bezdisin qytetarët me trafikun e rënduar.
Pa kërkesa apo program të qartë politik dhe pa një lidership të qartë, protesta është e destinuar që gradualisht të zhduket vetë. Këtë gjë e pamë më së miri me lëvizjen “occupy wall street” e cila u ndez e u fik shpejt si një flakë kashte. Rënien e shkëlqimit të protestës e pamë ditëve të fundit, kur numri i të pranishme ishte dukshëm më i vogël se i ditëve të para dhe se e vetmja gjë që i bashkonte masivisht studentët ishte vendimi për të mos shkuar në mësim.
Mënyra sesi evoluoi protesta mandej, e kthehu situatën në favor të qeverisë në ditët që pasuan.
Protesta e studentëve me kërkesat e saj shumë të kufizuara e teknike, por me një bujë e mbulim mediatik të jashtëzakonshëm, edhe drejtuar kundër qeverisë, në njëfarë mënyre mund të thuhet se kanë qenë të dobishme për qeverinë.
Së pari me bujën e tyre të madhe ato eklipsuan një protestë më legjitime e më të drejtë sikurse është ajo e banorëve të Astirit. Po ashtu zhurma e studentëve la në hije skandalet e jashtëzakonshme të njëpasnjëshme të aferës së tenderimit për ndërtimin e asaj rruge kontraversale.
Po ashtu mund të thuhet se nga ana e komunikimit, protestat janë menaxhuar e spinuar me mjeshtëri të rrallë nga kryeministri i cili e projektoi veten si lider i përgjegjshëm që dëgjon shqetësimet e të qeverisurve dhe vihet menjëherë në veprim për të zgjidhur problemet e parashtruara.
Ai ia doli që ta portretizojë protestën në sytë e publikut si një verdikt mosbesimi ndaj opozitës sepse po të kishte një opozitë dinjitoze s’do të kishte nevojë për protestë apolitike. Jo vetëm aq por e shfrytëzoi këtë protestë si një sebep për të rifreskuar kuadrot e qeverisë duke bërë ndryshime drastike në kompozimin e kabinetit të qeverisë ku më në sy bie mosha e ministrave të rinj si një lloj përpjekje për të ndërtuar një urë lidhjeje me protestuesit.
Një tjetër problem me këtë protestë është mungesa e krijimit të një udhëheqësie të mirëfilltë të studentëve. Protesta po i ngjan gjithnjë e më shumë një turme pa kokë, ku janë të shumta palët që orvaten ta shtien në dorë apo të flasin në emër të saj.
Protestat në përgjithësi janë momente ideale historike për të nxjerrë në pah të rinj të talentuar, që kanë karizmë e kurajo e që ia dalin të dëshmojnë lidership duke artikuluar më së miri kërkesat e protestuesve dhe që fitojnë besimin e tyre. Deri më sot ende nuk janë vënë re përfaqësues të spikatur nga ana e studentëve të cilët jo vetëm të flasin në emër të protestës pa ia vënë kush në pikëpyetje atë që thonë por edhe që iu ecën llafi me protestuesit të cilët i ndjekin ata me përkushtim.
Një prurje me figura të reja premtuese studentësh të pakomprometuar do të kishte një dobi të madhe për shoqërinë pasi do i jepte një freski moçalit të elitës politike shqiptare. Dihet që përveç ndryshimeve në qeverisje apo opinion publik, protestat studentore kanë sjellë edhe figura politike me peshë për vitet e mëpasshme.
Kështu për shembull Azem Hajdari nga student i dhjetorit u bë lideri i parë i partisë së parë opozitare të Shqipërisë, ndërsa Hashim Thaçi e ka nisur angazhimin politik në kuadër të protestave studendore duke u bërë prorektor i studentëve të Universitetit të Prishtinës në 1991.
E njëjta gjë mund të thuhet për Albin Kurtin që fitoi popullaritetin fillimisht duke qënë në protestat e studentëve të Prishtinës në 1997.
Daniel Cohn-Bendit për shembull ka qenë një ndër liderët kryesorë të protestave të famshme të studentëve francezë të majit 1968 dhe sot është president i grupit të të Gjelbërve Europianë – Aleanca e Lirë Evropiane në Parlamentin Evropian. Joschka Fischer, ish ministri i jashtëm gjerman, ka qenë po ashtu një ndër drejtuesit e lëvizjes studentore gjermane të vitit 1968.
Alexis Tsipras e ka nisur karrierën politike si zëdhënës i lëvizjeve studentore komuniste në Greqi. Pra ka një histori të gjatë me raste shqiptare e të huaja kur protestat studentore kanë shërbyer si trampolinë për të farkëtuar liderë politikë me peshë.
Studentët protestues kanë premtuar se do të rikthehen nëpër rrugë por pa bërë të qartë nëse do të kenë kërkesa të reja apo nëse do ta përshkallëzojnë e zgjerojnë protestën.
Për momentin mesazhet që po përcillen prej tyre tingëllojnë thjeshtë si vargjet e tekstit të asaj këngës së dikurshme “na llogarisni edhe ne”. Përpos kësaj, opinioni publik njeh vetëm personazhe e shoqata që kanë dalë në mbështetje të protestuesve, por nuk është prezantuar ende me një lidership të qartë të dalë prej studentëve.
Pra ende nuk ka një përfqësi që të flasë apo negociojë në emër të tyre, gjë që hedh hije dyshimi dhe ndez konspiracionin se kush qëndron prapa këtyre protestave. Kjo situatë amullie e anarkie e kësaj proteste do të sjellë në mënyrë të pashmangshme në rënien e mbështetjes për të, në një lloj veljeje edhe të mediave për t’i mbuluar përderisa nuk sjellin diçka të re dhe për rrjedhojë, në çuarjen dëm të gjithë atyre pritshmërive dhe shpresave që mbollën në ditët e para të tyre./Javanews/