Moti i keq që ka 'pushtuar' vendin tonë ka sjellë probleme të shumta jo vetëm në bregdet por edhe në rrethin e Krujës, ku aksi Krujë-Sarisalltik është bllokuar si pasojë e rrëshqitjeve të një masivi gurësh.
Shkak i këtyre rrëshqitjeve të dherave kanë qenë reshjet e shumta të shiut që kanë vazhduar për gjatë gjithë natës. Situata më e rënduar është në aksin që lidh Krujën me zonën turistike të Sarisalltikut, por rrëshqitjet e dheut nuk kanë munguar as në akset e tjera që kalojnë buzë kodrave apo shpateve të malit.
Në afërsi të Sarisalltikut janë shembur disa metër kub dhe gurë në rrugë por fatmirësisht nuk ka patur dëmtime në njerëz apo dëme materiale pasi rruga ka qenë e boshatisur. Ndërkohë për të zhbllokuar rrugën kanë vajtur në vendin e ngjarjes disa punonjës të bashkisë së Krujës por përmasat e gurëve të rënë kanë qenë të përmasave të mëdha dhe ndërhyrja nuk ka qenë e vlefshme.
Nga ana tjetër punonjësit e A.Rr.SH që kanë në varësi rrugën, kanë ardhur rreth orës 10:20 në pikën ku është bllokuar rruga edhe pse ky aks është i pakalueshëm që nga orët e para të mëngjesit. Në zonë janë disa biznese që operojnë, dhe për shkak të rrugës ato janë të bllokuar.