Shkencëtari themelues i Inteligjencës Artificiale: Ajo mund të shkatërrojë njerëzimin në 30 vitet e ardhshme

Shkencëtari themelues i Inteligjencës Artificiale: Ajo mund të shkatërrojë njerëzimin në 30 vitet e ardhshme

Foto ilustruese

“Ka një probabilitet prej 10-20 për qind që brenda tridhjetë viteve të ardhshme Inteligjenca Artificiale të shkaktojë zhdukjen e njerëzimit.” Ky është paralajmërimi i ri i Geoffrey Hinton, shkencëtarit anglo-kanadez i konsideruar si një nga etërit e IA-së, i cili për studimet e tij në këtë fushë fitoi në vitin 2024 Çmimin Nobel për Fizikë.

Më parë, profesori Hinton kishte folur për një mundësi rreth 10 për qind që IA të shkatërrojë njerëzimin. Tani, në një intervistë për BBC lidhur me shanset e një apokalipsi të mundshëm të shkaktuar nga zbulimet në këtë fushë, studiuesi e ka rritur këtë probabilitet “në 10-20 për qind”, duke deklaruar se ritmi i evolucionit të Inteligjencës Artificiale po përparon “shumë më shpejt” nga sa priste.

“Fakti është se kurrë nuk kemi pasur të bëjmë me diçka më inteligjente se specia jonë,” shprehet ai.

“Dhe sa shembuj ka ku diçka më inteligjente kontrollohet nga diçka më pak inteligjente? Le të përpiqemi ta imagjinojmë veten si një fëmijë trevjeçar dhe IA-në si një të rritur.”

I lindur në Londër, profesor emeritus në Universitetin e Torontos, vitin e kaluar Hinton dha dorëheqjen nga Google, ku punonte për zhvillimin e Inteligjencës Artificiale, për të pasur më shumë liri të flasë për rreziqet e lidhura me një rritje “të pakontrolluar” të një teknologjie të tillë.

Rreziku, sipas tij dhe specialistëve të tjerë, është që sisteme më inteligjente se njerëzit, në një moment të caktuar, mund të përbëjnë një kërcënim ekzistencial për specien tonë, duke anashkaluar çdo kontroll nga ana e njeriut.

“Kur fillova të punoja me IA, nuk mendoja se do të arrinim kaq shpejt në nivelin ku jemi tani”,- tha studiuesi për BBC.

“Mendoja se do të arrinim, por në një të ardhme më të largët. Në fazën aktuale, mendimi dominues i ekspertëve është që ndoshta brenda njëzet vjetëve do të zhvillojmë një Inteligjencë Artificiale më të zgjuar se ajo njerëzore. Dhe kjo është një perspektivë vërtet frikësuese. Shqetësimi im është që lënia e IA-së në duart e kompanive të mëdha të motivuara vetëm nga fitimet nuk është e mjaftueshme për të garantuar zhvillimin e saj të sigurt. E vetmja gjë që mund t’i detyrojë ato kompani të bëjnë më shumë kërkime mbi sigurinë e IA-së është rregullimi i sektorit nga qeveritë",- shtoi më tej.

Profesori Hinton është një nga të ashtuquajturit “tre etërit e Inteligjencës Artificiale” që kanë fituar Çmimin Turing, i konsideruar ekuivalent me Nobelin për shkencat kompjuterike.

Një mendim të kundërt, megjithatë, ka një tjetër nga treshja, Yann LeCun, kreu i departamentit të IA-së në Meta, kompania e Mark Zuckerberg që zotëron Facebook, Instagram dhe WhatsApp, e cila së bashku me Google, Apple, Amazon dhe Microsoft është një nga “Pesë të Mëdhatë” e teknologjive të reja: shkencëtari franko-amerikan minimizon rrezikun e një kërcënimi ekzistencial nga Inteligjenca Artificiale, duke deklaruar përkundrazi se mund të jetë pikërisht IA “ajo që do ta shpëtojë njerëzimin nga zhdukja.”

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?



×

Lajmi i fundit

Iraku drejt legalizimit të abuzimit seksual ndaj të miturve, parlamenti diskuton ligjin që mund të detyrojë 9-vjeçaret të martohen

Iraku drejt legalizimit të abuzimit seksual ndaj të miturve, parlamenti diskuton ligjin që mund të detyrojë 9-vjeçaret të martohen