Dy persona janë plagosur mbrëmjen e sotme pasi një ashensor në një pallat të Tiranës në zonën e Unazës së Re është shkëputur, duke rënë nga kati i pestë në katin zero. Të plagosur kanë mbetur S. K., 56 vjeç, dhe S. K., 55 vjeçe (çift bashkëshortësh) që ndodheshin brenda ashensorit në momentin e shkëputjes së ashensorit.

Në ndihmë të tyre kanë mbërritur forcat e policisë dhe zjarrfikësve, ndërkohë që i kanë transportuar edhe në spital për të marrë ndihmën e duhur mjekësore.

Mësohet se 56 vjeçari ka dëmtuar shpatullën ndërsa edhe gruaja e tij ka pësuar dëmtime. Fatmirësisht gjendja e tyre paraqitet të jetë e qëndrueshme, jashtë rrezikut për jetën.

Ky nuk është i pari rast i shkëputjes së ashensorëve në pallate. Ndërkohë nga Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) që kontrollon ashensorët, ende nuk ka një deklaratë zyrtare për rastin në fjalë.