SHKODER - Me rritjen e temperaturave rritet edhe rreziku për zjarret në qarkun e Shkodrës. Vetëm gjatë muajit të kaluar në këtë qark janë shfaqur 28 raste zjarri të shoqëruara me dëme në pyje dhe kullota. Është ky raporti zyrtar i Prefekturës Shkodër në lidhje me situatën e menaxhimit të zjarreve. Ndërsa në total janë kërkuar gjithsej 109 ndërhyrje për shuarje zjarresh në vende të ndryshme në gjithë territorin e qarkut Shkodër.

Në rrethin e Malësisë së Madhe gjatë muajit korrik është ndërhyrë në shuarjen e 27 vatrave të zjarrit me një sipërfaqe prej 40 hektarësh, kryesisht shkurre dhe mbeturina. Në rrethin e Pukës ka pasur 36 vatra zjarri prej të cilave është shkaktuar djegia e një sipërfaqeje prej 40 hektarë pyjesh me pisha. Në këtë zonë dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme ndërkohë që po punohet për identifikimin e autorëve.

Një tjetër problem që është shfaqur në ato zona është pamundësia e forcave zjarrfikëse për të ndërhyrë në momente kritike pasi mjetet e tyre nuk janë të përshtatshme për terrenet e tyre malore dhe në shumicën e rasteve ata kanë kërkuar ndihmën e banorëve të zonës për t'i shuar zjarret me mjete rrethanore apo akoma më keq ka pasur edhe raste të tjera kur ju është dashur të luten që shiu të mos vononte.

(en/shqiptarja.com)