“Rinia ka ëndrrën, energjinë dhe gjithë aftësinë që kjo ëndërr të quhet Shkodër”, ishin këto fjalët e themelueses së fondacionit CATI FOUNDATION në ditën e inaugurimit të Forumit Rinor, CATI FOUNDATION YOUTH.

“Ju falenderoj të gjithëve sa jeni këtu dhe të gjithë ata të rinj të majtë e të djathtë, të qëndrës të paanshëm, besimtarë, jo besimtarë që sot nuk festojnë me ne këtu por që në të ardhmen do të mbështesin forumin tonë. Ju jeni andërr, jeni energji, jeni aftësi që kjo andërr të quhet Shkodër. Ju jeni të mrekullueshëm”, ishte ky mesazhi i znj. Bazhdari.

“Të rinjtë shkodranë kërkojnë shkollim dinjitoz, punësim, argëtim por mbi të gjitha një përfaqësim dhe mundësi për t’u shprehur, sepse vetëm të rinjtë mund të kthejnë ndryshimin që duam”, përfundoi Bazhdari fjalën përshëndetëse.


Forumi më i ri i të rinjve në Shkodër organizoi dhe një aktivitet kulturor me rastin e 14 Marsit (ditës së verës) dhe me këtë rast u inauguruan dhe zyrat e reja të këtij Forumi. Po në orët e paradites të rinjtë u mblodhën dhe për një koktejll që u shoqërua me ëmbëlsirën tradicionale të ditës së verës Ballokumet dhe më pas u mblodhën për një xhiro me traget në liqenin e bukur të Shkodrës.

“E shikoj veten pjesë të këtij forumi, në radhë të parë sepse e shoh si një alternativë zhvilluese ku të rinjtë mund të shkëmbejnë eksperiencat e tyre bashkë me informacionin duke u bërë kështu pjesë e një rrjeti rinor brenda të cilit mund të spikasin aftësitë e tyre duke i bërë ato të evidentueshme nga të tjerët dhe duke rritur mundësitë për punë”, tha Suad Laçej student në financë.

Me këtë ide fondacioni synon të nxisë pjesëmarrjen aktive të rinisë dhe qytetarëve në aktivitetet kulturore dhe sociale të metropolit kulturor Shkodër, duke promovuar në plan të parë një ndryshim pozitiv për vetë qytetin.

“Mendoj se pavarësisht aktiviteteve sporadike, shkodrës, qytetit tonë i ka munguar deri tani një organizëm i mirëfilltë rinor siç është ky forum me të cilin duam ti japim Shkodrës një hov të ri rinor për t’a kthyer në një qytet alternativë me sa më shumë aktivitete argëtuese dhe edukative. I bëj thirrje sa më shumë të rinjtë të bëhen pjesë e aktiviteteve tona përmes mundësive të reja që krijohen”, thotë Tani për gazetën.

Inciativa e sotme “EARTH LAUGHS WITH FLOWERS !!”që i mblodhi të gjithë në fund për një barbeque në liqenin e shkodrës synon krijimin i një rrjeti rinor për evidentimin e talenteve të reja nëpërmjet pjesëmarrjes aktive të të rinjve në debate, shkembime eksperiencash dhe informacion. Kjo me siguri rrit mundësitë dhe për tregun e punës. Një organizëm i tillë rinor, jo politik, deri tani i kishte munguar me të vërtetë shkodrës. Në fund një thirrje për bashkëmoshatarët e tyre që të marrin pjesë dhe të jenë aktiv brenda këtij forumi që synon të jetojë dhe të mendojë aktivisht vetëm për shkodrën.

“Jemi mësuar të dëgjojmë, siç ka ndodhur deri tani, forumi rinor i PDsë, i PSsë, LSIsë etj. Unë mendoj se i ka munguar një forum i mirëfillte rinor për shkodrën. Ku është ai ? Ndoshta ka ardhur rasti të jemi pjesë e një rrjeti që jeton, mendon e diskuton vetëm për Shkodrën. Ka ardhur koha ta bëjmë. Pse jo tani ? Unë besoj se Cati Foundation Youth e ofron këtë mundësi”, thotë Stejsi.
 
Më pas qytetarët janë mbledhur në Pendonalen “Kol Idromeno” për të shijuar Ballokumet e Elbasanit. Një moment intersant është shëtitja me varka në Liqenin e Shkodrës. Nisja bëhet nga qëndra e Shirokës drejt Molos. Të rinjtë do të kenë rastin të testojnë aftësitë e tyre fizike nëpërmjet një sporti që po synon të kthehet në traditë për Shkodrën.

“Cati Foundation” është themeluar në Dhjetor të vitit 2014, në Shkodër. Një prej qëllimeve të këtij fondacioni është rigjallërimi i jetës sociale dhe kulturore në vend, demokratizimi dhe lufta kundër varfërisë ekstreme. Themeluesja e fondacionit Keti Bazhdari njihet në Shkodër si një eksponent aktiv i shoqërisë civile, politikës dhe biznesit. Ajo ka marrë përsipër dhe në të kaluarën shumë projekte mbi të gjitha me karakter social, filantrop dhe politik.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)