SHKODER - Edmir Koçia, 38 vjeçari i cili dyshohet për një sërë vrasjesh është ekzekutuar në një pritë të mirëorganizuar mu përpara derës së tij. Të paktën këto janë të dhënat e para hetimore për plagosjen e 38 vjeçarit i cili është qëlluar me breshëri automatiku teksa ishte në makinën e tij tip fuoristradë.

Madje pasi e kanë ekzekutuar autorët kanë shtënë me pistoletë 2-3 herë në ajër, shenjë se gjaku u mor, bëjnë të ditur burime nga grupi hetimor i Shkodrës.

VRASJA E MIREORGANIZUAR
Sipas policisë Edmir Koçia u ekzekutua me breshëri automatiku para derës së shtëpisë së tij rreth orës 20:45 minuta të mbrëmjen e së mërkurës (28 nentor) në lagjen ''Tepe'' (10 Korriku). Policia dyshon se autorët ende të paidentifikuar kisin organizuar mirë çdo detaj të atentatit.
Nga të dhënat e para hetimore mendohet se ndaj tij është qëlluar me breshëri automatiku dhe 4 nga plumbat i kanë prekur organet jetësore. Familjarë të tij pasi kanë dëgjuar krismat kanë dalë jashtë dhe i ati me kushërinjtë e viktimës e kanë dërguar në Spitalin Rajonal të Shkodrës por nuk ka arritur të mbijetojë. Mjekët thanë se 38 vjeçari ndërroi jetë rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm.

DYSHOHET SE KA KRYER DISA VRASJE
Edmir Hamdi Koçija njihej nga policia si person me precedent penal, dhe dyshohej si autor i disa vrasjeve por asnjëherë nuk janë vërtetuar. "Viktima shtetasi Edmir Koçia ka qenë person me precedent kriminal i dyshuar për disa vrasje në qytetin e Shkodrës"- thuhet në njoftimin e policisë, e cila shton se hetimet i kanë kaluar prokurorisë së rrethit të Shkodrës. Burime të pakonfirmuara thonë se mbi Koçija bien dyshimet se ai është autor i vrasjes së Çim Cafit, Astrit Meshunit. Ndërsa vrasjen e fundit mendohet se e ka kryer në Vlorë. Ndërkohë që në 2007 u ndalua nga policia si i dyshuar për vrasjen Artur Talanit dhe Fatbardh Trumës më 08.12.1999 në qytetin e Shkodrës. Në atë kohë gjatë kontrollit i është gjetur një depo armësh e mbushur me snajper e kallashnikov armë të kalibrit të ndryshëm. Një pjesë e tyre u çuan në Tiranë për ekzanimin, për përfshirjen në ndonjë krim të mundshëm por nuk u gjet asgjë dhe më pas është lënë i lirë.

KERKIMET PER AUTORET, SHOQEROHEN 11 PERSONA
Forcat RENEA dhe policia gjatë gjithë natës kanë kryer aksione dhe kanë bërë shoqërimin e disa personave të cilët mendohet se mund të kenë pasur konflikte me viktimën. Korrespondenti ynë në Shkodër Admir Agolli informon se përveç disa gëzhojave nuk është gjetur asnjë provë tjetër ndërkohë që ndaj tij ishin kryer disa herë atentate, por kishte arritur t'i shpëtojë. Sot paradite policia informon se në "policinë e Shkodrës është bërë shoqërimi i 11 personave". Ishte dënuar më parë.

SHTEPIA PRANE DEPOVE USHTARAKE
Shtëpia e Edmir Koçisë ndodhet në një rrëzë kodre në lagjen periferike të Tepes pranë depove ushtarake. Mendohet se shtëpia e tij ishte ndërtuar pikërisht në atë rrëzë kodre për të shmangur atentatet. Madje ai përdorte dhe tunele e ushtrisë për të fshehur armë.

NJOFTIMI I POLICISE MBREMJEN E DJESHME
Me date 24.11.2012, rreth ores 20.45 ne Lagjen ''Tepe'' (10 Korriku) qyteti Shkoder, nga persona te pa identifikuar eshte plagosur me arme zjarri shtetasi:Edmir Koçija 38 vjec. Shtetasi Edmir Koçia ndodhet ne Spitalin Rajonal Shkoder ne gjendje te rende. Po punohet per identifikimin dhe kapjen e autorit-ve te ngjarjes. Ne vendngjarje u dergua grupi hetimor i cili po kryen veprimet. Ne perfundim te tyre do te jepet dhe informacioni perfundimtar.


ARRESTIMI ME 2 TETOR 2007, JA NJOFTIMI I POLICISE
Sot me dt. 02.10.2007 u finalizua me sukses operacioni i Drejtorise se Policise Qarkut Shkoder ne bashkepunim me Prokurorine e Rrethit Gjyqesor Shkoder dhe forcat e repartit Renea, i koduar “Draganova”.
Ky operacion u organizua ne kuadrin e hetimit te bere per zbulimin, dokumentimin dhe goditjen e autoreve te ngjarjeve te vjetra te ndodhura ne Rrethin e Shkodres ku si rezultat u be arrestimi ne flagrance i shtetasve:
Edmir Hamdi Koçia, i datelindjes 1974, lindur e banues ne L.”10 Korriku”, Shkoder, i denuar me pare per vepren penale “Armembajtje pa leje”
Fatmir Vehbi Muça, i datelindjes 1973, lindur e banues ne L.”Ahmet Haxhia” Shkoder, i denuar me pare per vepren penale "plagosje me arme te ftohte".
Arrestimi i tyre u be pasi keto dy shtetas dyshohen te jene autoret e ngjarje se ndodhur me dt. 08.12.1999 ne qytetin e Shkodres, ku mbeten te vrare shtetasit Artur Talani dhe Fatbardh Truma.
Gjithashtu nga kontrolli i ushtruar ne banesat e te arrestuarve u gjeten dhe u sekuestruan ne cilesine e proves materiale nje arsenal i tere armesh ku me konkretisht:
Ne banesen e shtetasit Edmir Koçia u gjeten dhe u sekuestruan:

1 (nje) pushke snajper me 5 krehera me fisheke dhe dylbi,
1 (nje) arme gjahu teke “Sarsilmaz”,
1 (nje) automatik Kallashnikov mod. 56, kal. 7.62, me 2 krehera me fisheke,
1 (nje) mitraloz i lehte mod.56, kal. 7.62mm bashke me kutine me fisheke,
1 (nje) pistolete kal. 9mm me 15 fisheke,
2 (dy) pale dylbi, njera prej te cilave me rreze infrared,
2 (dy) krehera me fisheke te kal. 9mm,
2 (dy) radio dore me bateri, karikues dhe kufje,
1 (nje) arke me fisheke.

Ndersa ne banesen e shtetasit Fatmir Muça u gjeten dhe u sekuestruan:
2 (Dy) pistoleta tip Zastava me silenciator kal. 7.62mm me 2 (dy) krehera me fisheke,
2 (dy) maska,
1 (nje) automatik kallashnikov me 2 (dy) krehera me fisheke,
2 (dy) pale dylbi dhe
2 (dy) jeleke antiplumb.
(Lajmi u publikua fillimisht me 23: 15, te 28 nentorit me pas u perditesua me 14: 05 te 29 nentorit)
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)