SHKODËR- Fqinjës e 60-vjeçarit, i cili humbi jetën një natë më parë në Shkodër për shkak të zjarrit që i përpiu shtëpinë, thonë se ambulanca kishte mbërritur me vonesë. Bashkëshortja e tij, Sofie Kallmaçaku,  59 vjeç ka pësuar djegie të rënda dhe është dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Këtu ndodhi zjarri. Kanë ardhur njerëzit për pune, e ka pa flakën. Gruaja ka dalë  e djegur e kanë çuar në spital. Kapllani ka vdek brenda. Se dimë si ka ardhur flaka, jemi zgjuar prej gjumi. Kushtet i kanë pas të këqija. Ambulanca ka ardhur me vonesë, policia ka ardhur më shpejt. Zjarrfikëset kanë ardhur me gjithë policinë.

E dëgjova zhurmën, kur dola jashtë pashë flakën e madhe. Katastrofë. Nusja ishte djeg komplet, prit ambulancën. Ka ardhur vonë.

Vetëm policia ka ardh shpejt, ambulanca e zjarrfikësja ka ardhur me vonesë. Ajo është shumë keq. Është djeg krejt”, thonë fqinjët.

Ndërkohë, drejtori i spitalit të Shkodrës, Senad Hallunaj thotë se ambulance ka shkuar në kohë. Në një deklaratë për mediat, Hallunaj u shpreh se ambulance ka shkuar pas 7 minutash në vendngjarje, menjëherë pasi mori njoftimin nga zjarrfikësja.

"Rreth 7 minuta nga njoftimi që ka marrë nga zjarrfikësja, ambulanca ka mbërritur për 7 minuta", tha ai.

60-vjeçari Kapllan Nasufi humbi jetën mbrëmë për shkak të zjarrit që ra në barakat e komunitetit rom pranë Urës së Bunës. Ende nuk dihen arsyet e zjarrit. Fqinjët tregojnë se kushtet e tyre ekonomike ishin shumë të vështira. 60-vjeçari ka 2 djem të martuar, ndërsa sipas fqinjëve ai punonte në Bashkinë e Shkodrës për mirëmbajtjen e rrugëve.

“Ka dy djem të martuar. E shoqja nuk punonte. Ai punonte pastrues rrugësh”, tha një fqinje.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:36
Zjarri në Shkodër ku vdiq 60-vjeçari, Drejtori i Spitalit: Ambulanca shkoi 7 minuta pasi mori njoftimin

 

Drejtori i spitalit rajonal të Shkodrës Senad Hallunaj ka reaguar në lidhje me pretendimet e banorëve të komunitetit rom në lagjen Liria për vonesën e ambulancës në ngjarjen e një dite më parë. Ai ka deklaruar se ambulanca ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes për 7 minuta pas marrjes së njoftimit nga zjarrfikësit. Hallunaj deklaroi se koha optimale është 5-10 minuta nga marrja e njoftimit

“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:45, njoftimi ka qenë në orën 22:46. Zjarrfikëset kanë lajmëruar urgjencën. Rreth 7 minuta nga njoftimi që ka marrë nga zjarrfikësja, ambulanca ka mbërritur për 7 minuta. Heronjtë e zjarrfikësve kanë qenë duke kryer detyrën, ndërhyrja nga ana mjekësore ka qenë e pamundur. Duke pas parasysh mundësinë e një ngjarje më të madhe, një ambulancë s’do kishte pas kapacitetin për ta përballuar është nis dhe ambulanca e dytë në orën 22:56. Ambulanca  e parë ka bërë transportimin e menjëhershme të zonjës. Pastaj ka mbërrit ambulanca e dytë e cila ka qenë rreth 1 orë në vendngjarje derisa ka dalë fatkeqësisht i shkrumbuar trupi i të ndjerit. Në gatishmëri ka qenë edhe një ambulancë e tretë për çdo mundësi.

Sipas protokolleve 5-10 minuta është koha minimale për të mbërritur ambulanca. Në raste të tilla u bëj thirrje qytetarëve që të njoftojnë 127, sepse është Urgjenca Kombëtare që koordinon të gjitha ambulancat, në mënyrë që shpejtësia e ambulancave të jetë e menjëhershme dhe efektive”, tha ai.