Shkodër, aty ku jetimët martohen
e jetojnë si në 'Poemën e Mjerimit'

Shkodër, aty ku jetimët martohen<br />e jetojnë si në 'Poemën e Mjerimit'
SHKODËR - I ngjan si keq e mos më keq poemës migjeniane të mjerimit, një mjerim që ndoshta dhe Migjeni vetë s'dihet në e ka ndeshur në këto përmasa, por që në Shkodër vijon të ekzistojë edhe një shekull pas vdekjes së poetit të të mjerëve.

Mjerim gërryes në çdo kënd e centimetër të jetës së 10 familjeve të jetimëve, të cilët pas moshës 18 vjeç kanë dalë prej jetimoreve, më pas janë martuar dhe duke mos pasur ku të shkojnë janë vendosur në bodrumin e konviktit të shkollës industriale në Shkodër.

Jetojnë prej vitesh mes mureve të zhvatur e gërryer nga lagështira, me sende përtokë, ku një mobilje të vetme kund nuk e gjen, por vetëm zhele, qese, kova, madje në disa hyrje mungojnë dhe dritaret.

shkoder
(Në foto: Pamje nga mjediset e bodrumit të konviktit të shkollës industriale në Shkodër, edhe pa dritare).

Janë 40 vetë gjithsej, e nuk janë vetëm të rritur, por dhe rreth njëzet fëmijë, që ndajnë të njëjtin fat të paracaktuar për ta prej prindërve të tyre jetimë. Pamjet tregojnë qartë edhe skamjen me të cilën iu duhet të përballen jetimët, që zgjohen mes lagështirës dhe flenë në kartona mes të ftohtit. Tashmë që temperaturat janë ulur ndjeshëm dhe jemi në stinën e dimrit, jetesa e tyre është bërë thuajse e pamundur.

shkoder
(Në foto: Pamje nga mjediset e bodrumit të konviktit të shkollës industriale në Shkodër).

Mes dhimbjes dhe lotëve, kjo shtresë bën apel për ndihmë, pasi deri më tani askush nuk është kujtuar për ta nga pushteti lokal. "Djali është pa punë, 18 vjeç, burri ka vdekur, djali është jetim, nuk e përfill askush. Si mund të na kallzoni kush janë të pushtetit lokal, që të më thonë se ku mund të shkoj unë me u mbyt, ku të shkoj veti i 4-të? Ku të shkoj me një dorë që punoj (dhe nuk përfitoj asnjë gjë). A bëhet punë me një dorë, a bëhet punë me një këmbë?", shprehet një nga banoret.

shkoder
 (Në foto: Pamje nga muret me lagështirë të bodrumit të konviktit të shkollës industriale në Shkodër).

Është kujtuar myftinia e Shkodrës, e cila u dërgoi këtyre familjeve afro 40 pako me ushqime, ndërsa myftiu, imam Muhamed Sytari theksoi se këto realitete janë mjaft të dhimbshme dhe duhen ndryshuar.  "Ne erdhem sot për të sjellë një ndihmë modeste, më tepër për të bërë një apel sensibilizimi për të gjitha institucionet e vendit dhe për të gjithë njerëzit me vullnet të mirë, për të gjithë biznesmenet që kanë mundësi për të ndihmuar, për të ndryshuar sadopak realitetin e këtyre njerëzve, të japin kontributin e tyre dhe të bëjnë të mundur që këto realitete të zymta dhe të pabesueshme, po të mos i shihnim do të thonim se nuk janë të vërteta, të ndryshojnë", tha imami. 
 
shkoder
(Në foto: Ndihma që Myftinia e Shkodrës ka ndarë sot për 10 familje të jetimëve të shkollës industriale në Shkodër).

Sipas imam Muhamedit, "jemi ne vitin 2013 dhe ne aspirojmë për t'u integruar në Bashkimin Europian. Mirëpo, të bashkohesh me popujt e qytetëruar, me vendet e qytetëruara me këto realitete është diçka e dhimbshme, por dhe e turpshme edhe në aspektin kombëtar. Prandaj unë po them dhe po lutem me zemër që ata që e kanë për detyrë dhe ata që kanë mundësi për të ndihmuar për ta ndryshuar këtë realitet ta bëjnë, sepse është shumë vonë".

shkoder
(Në foto: Myftiu i Shkodrës teksa hyn në një nga 10 familjet e jetimëve të shkollës industriale sot në Shkodër).

Ndërkohë, drejtoresha e shërbimeve sociale, Valbona Tula ka premtuar se do të rishikojë statusin e jetimit për këto familje dhe problemin e punësimit dhe strehimit. "Unë do të ndjek hap pas hapi të gjithë zbatueshmërinë e statusit të jetimëve, që do të thotë të gjithë shërbimet sociale të tyre, që ato duhet të përfitojnë me ligj, që t'i shkojnë vërtet kësaj shtrese. Nga ana tjetër do të ndjek po kështu me shumë rigorozitet punësimin dhe strehimin e tyre nëpërmjet Bashkisë së Shkodrës", theksoi Tula.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjëgjesia?



×

Lajmi i fundit

Rastësisht në sheshin e Prishtinës, video e Çun Lajçit dhe Sabri Fejzullahut emocionon ndjekësit

Rastësisht në sheshin e Prishtinës, video e Çun Lajçit dhe Sabri Fejzullahut emocionon ndjekësit