Prej gati dy muajsh banorët e zonës së Rrjollit në Shkodër vijojnë protestat kundër punimeve për ndërtimin e resorti luksozit nga botuesi Bashkim Ulaj. Edhe këtë të enjte protestuesit marshuan drejt kantierit në bregdetin e Velipojës ku po kryhen punimet për projektin turistik.

Forcat e policisë formuan menjëherë perimetrin e sigurisë për të mos lejuar dëmtimin e punëtorëve dhe makinerive. Situata u tensionua dhe pati përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë, ndërsa disa banorë u shoqëruan në komisariat.

Sipas këtyre të fundit, uniformat blu i kanë ofenduar me fjalë të papërshtatshme.

"Kjo është toka jonë dhe nuk do të dorëzohemi. Policia na ka ofenduar. Kërkojmë vetëm drejtësi", tha një banore.

Banorët shprehen gjithashtu se toka është e tyre dhe se nuk do lejojnë t’ua marrin atë. Ata i bëjnë thirrje edhe Fatmir Shpellzaj që të paraqesë dokumentat nëse ai i ka.

“Rezistenca do të vijojë deri kur të kemi drejtësi. Fatmir Shpellzaj meqënëse i paske certifikatat pse nuk i nxjerr. Ti nuk i ke, ke vetëm një alibi falso. Prokuroria e Shkodrës duhet të bëjë punën e vet për të parë se kujt është prona. Nëse në Rrjoll ndodh një fatkeqësi  është faji i shtetit. Malësorët e mbrojnë tokën me gjak. Institucionet duhet të veprojnë për të mos ndodhur ndonjë fatkeqësi”, tha një banore tjetër teksa theksoi se do të vijojnë të qëndrojnë këtu.

Punimet për ndërtimin e “Blu Borgo”-s në një sipërfaqe prej 146 hektarësh, Bashkim Ulaj i nisi në fillim të shkurtit pasi mori lejen e ndërtimit. Projekti parashikon 33 struktura akomoduese dhe shërbimi, me objekte nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë. Subjekti zhvillues është shoqëria “ABA Blue Borgo”, me statusin e investitorit strategjik.