SHKODËR - Artëdashësit shkodranë kanë mirëpritur interpretimin e artistëve italianë, pjesë të orkëstres simpatike "Spartiti per Scutari Orchestra", e krijuar e drejtuar nga shkodrani Bardh Jakova. I larguar nga Shqipëria mbi 20 vite më parë, bir i një prej familjeve më të spikatura të muzikës shkodrane dhe asaj shqiptare, "Jakova", djali i Çesk Jakovës dhe nipi i ta madhit Prenkë Jakova, Bardhi ka vite që i është përkushtuar orkestres së ideuar dhe formuar prej tij rreth shtatë vite më parë në Forli, aty ku jeton së bashku me familjen e tij.
Dy koncertet e dhëna, fillimisht në skenen e Teatrit "Migjeni" dhe më pas në mjediset e jashtme të Konsullates Italiane në Shkodër, kanë qënë me të vertetë spektakolare.Por, më shumë së të gjithë të tjerët, padyshim ishin pjesëtarët e familjes "Jakova", e sidomos Leka, i vëllai i Bardhit, edhe ky shumë i njohur në fushën e muzikes, të cilët ndihen të kënaqur dhe krenare që Bardhi korri këtë sukses pikërisht aty ku shumë vite më parë xhaxhai i tyre, Prenkë Jakova, drejtonte Qëndrën e Kulturës së Shkodrës, sot konsullata italiane. Një vazhdimësi tradite me një brez tjetër po aq të talentuar në fushën muzikore. Vlerësime dhe falenderime për momentet e gëzueshme që solli në qytetin e Shkodrës u percollen nga Konsulli i Nderit të Italisë së Shkodër, Antonio Stigliani, drejtuesit më të lartë vendore etj.
"Falenderoj përzemërsisht të gjithë ata që me praninë e tyre, me duatrokitjet e tyre të ngrohta,  bashkoheshin në interpretim me pjesëtarët e grupit tonë", tha pas përfundimit të koncertit, Jakova. Ai theksoi se  edhe pse jeton prej vitesh në Itali, zemren e ka këtu, në Shkodër, ku sa herë vjen e gjen qytetin e tij të lindjes edhe më të bukur. Duke folur për grupin e tij, me të cilët punon prej shtatë vitesh, Jakova thotë se në përbërje janë rreth 20 artistë të disiplinave të ndryshme, tek të cilët ka gjetur kolegët, bashkëpunëtorët, por edhe miqtë e tij më të mirë. /ATSH/